Prodhimi i brendshëm bruto për vitin 2015 për kryebanori ka qenë 4.401 еuro, ose aq para ka pasur në dispozicion çdo banor i vendit. Enti për statistikë publikoi një tregues inkurajues – ekonomia vitin e kaluar është rritur për 3,7 për qind , shkruan Portalb. Rritje ka te konsumi, eksporti dhe importi, mirëpo ngecin bruto-investimet, të cilat konsiderohen si atribut në rritjen ekonomike. A do të vazhdojë ekonomia të mbështetet në sektorin e ndërtimit edhe atë deri kur, dhe sa, realisht e kanë përmirësuar standardin jetësor përqindjet aktuale të rritjes ekonomike?
Rritet PBB-ja, mirëpo edhe borxhet që do të kthehen në të ardhmen…
Viti i paqartë politik 2015 përfundoi me rritje ekonomike prej 3,7 për qind, kryesisht duke u bazuar në sektorin e ndërtimit, i cili në nivel të gjithë vitit kishte rritje prej 16,8%. Për dallim nga ndërtimtaria, vitin e kaluar bujqësia, industria e përpunimit të ushqimit, administrata publike, mbojtja nuk tregojnë përqindje pozitive. Në fakt, te industria e përpunimit të ushqimit, statistika ka regjistruar rënie prej 2%, ndërsa te bujqësia rënie prej 0,7%. Një pjesë e ekonomistëve vlerësojnë se përqindja e rritjes së PBB-së është inkurajuese, mirëpo edhe se në afat të gjatë ndërtimtaria nuk mund të jetë shtylla kryesore e rritjes ekonomike.
“Rritja në ndërtimtari është e mirë, mirëpo më shumë bazohet në objekte joproduktive, dhe kjo nuk mund të sjellë rritje në afat të gjatë. Në sektorët e tjerë ka rënie dhe kjo është rezultat i jokonsekuencës në politikën makroekonomike dhe i gjendjeve në ekonomitë e vendeve që janë partnerë tanë eksportues, e gjithsesi ndikim kanë edhe faktorët e tjerë ekonomikë dhe joekonomikë”, thotë profesori universitar Dimko Kokarovski.
Në bazë të të dhënave të fundit që janë pulikuar, viti 2015 përfundoi me PBB prej 9,1 miliardë eurosh sipas metodës shpenzuese në bazë të çmimeve aktuale, ose me PBB prej 4.401 euro për kryebanori.
Еkonomistët thonë se rritja ekonomike duhet të analizohet duke bërë krahasim me parametrat e tjerë, gjegjësisht sa kjo rritje realisht e përmirëson standardin jetësor, si është shpërndarja dhe cili është raporti sa i përket ngarkesës me borxhe, gjegjësisht a është borxhi publik në funksion të rritjes së PBB-së. Sipas të dhënave që i publikoi Qendra hulumtuese për informatikë pranë AMSHA-së, çdo banor ka borxh prej 2088 eurosh dhe nëse bëhet krahasim me fuqinë blerëse, atëherë çdo qytetar disponon me 4.400 еuro ndërsa gjysma prej tyre është borxh që tashmë është gjeneruar.
“Si e para, ky është vetëm borxh publik (edhe atë jo i plotë, gjegjësisht pa borxhet e përgjithshme të komunave dhe obligimet e papaguara të shtetit), gjegjësisht këtu nuk është përfshirë borxhi privat, respektivisht borxhi i qytetarëve dhe i firmave private. Sikur të prëfshihej edhe ky borxh, atëherë borxhi i përgjithshëm do të rritej pоthuajse trefish. Për shembull, borxhi i jashtëm privat është rreth 4 miliardë euro. Borxhi i brendshëm privat, gjegjësisht kreditë e amvisërive dhe të ndërmarrjeve në denarë janë rreth 3.5 miliardë euro. Kjo do të thotë se ngarkesa e përgjithshme me borxh për kryebanori nuk është 2088 еuro, por rreth 6000 еuro, që është më shumë se PBB-ja për kryebanori”, thotë analisti ekonomik Branimir Jovanoviq dhe shton:
“PBB-ja për kryebanori e mbivlerëson fuqinë ekonmike të popullatës. PBB-ja për kryebanori është rreth 370 еuro në muaj, që do të thotë 1.500 еuro në muaj për një familje katëranëtarëshe. Sa familje te ne kanë të ardhura mujore prej 1500 еurosh? PBB-ja në vete i përfshin edhe profitet e firmave, edhe amortizimin që e paguajnë ato për investimet e veta, edhe shërbimet që ua ofron shteti qytetarëve, të cilat ata nuk i paguajnë nga xhepi i tyre (siguria, shëndetësia, arsimi). Prandaj, ka një dallim të madh ndërmjet PBB-së dhe të ardhurave që popullata i ka në dispozicion (gjegjësisht të ardhurave që në fakt njerëzit i marrin në dorë). Të ardhurat që janë në dispozicion janë shumë të vogla, rreth 50-60% të PBB-së, gjegjësisht rreth 2500 еuro për kryebanori”.
Nëse analizohet struktura e PBB-së do të shihet se në krahasim me vitin 2014, ngecje, përveç te importi dhe eksporti, ka edhe te bruto-investimet. Kështu, vitin e kaluar eksporti ka shënuar rritje prej 4,6 për qind, për dallim nga viti 2014, kur kjo rritje ka qenë 18,2 për qind. Ndërsa te importi, vitin e kaluar rritja ka qenë 2,4%, ndërsa në vitin 2014 ka pasur rritje prej 16%. Në strukturën e PBB-së, pjesë më të madhe edhe më tutje ka konsumi përfundimtar, që gjenerohet nga poltikat shtetërore për buxhet.
Sipas një pjese të ekonomistëve, rritja ekonomike në raport me marrjen e huave nuk është e qëndrueshme dhe përqindjet aktuale realisht nuk kontribuojnë për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarit të zakonshëm.
“Më mirë është të shihet nga prizmi i parave që paguhen për t’i kthyer borxhet. Ato mjete janë shumë më të vogla. Për shembull, nëse borxhi publik i Maqedonisë në vitin 2015 ka qenë rreth 4.2 miliardë euro, për kamata të këtij borxhi në vitin 2015 janë paguar 105 milionë euro, gjegjësisht 1.2% e PBB-së. Ose pagesat e përgjithshme për kthimin e borxhit publik (së bashku me pjesën kryesore të kambialeve, e të ngjashme) në vitin 2015 kanë qenë rreth 470 milionë euro, që është rreth 5% e PBB-së. E ngjashme është fotografia edhe po të shihet nën prizmin e amvisërive. Sipas anketës për konsumin e amvisërive, në vitin 2014, amvisëritë në Maqedoni mesatarisht kanë dhënë rreth 4% të të ardhurave të tyre për kthimin e kredive dhe të borxheve”, thotë ekonomisti Jovanoviq.
Të dhënat për rritjen ekonomike në vitin 2015 do t’i nënshtrohen revizionit eventual. Vitin e kaluar, Enti për statistika e ndryshoi përqindjen e rritjes ekonomike për vitin 2014 prej 3,8% në 3,5%. Përqindja më e lartë ekonomike është matur në vitin 2007 edhe atë 6,5%. Praktikisht, ky është niveli më i lartë i matur rritjes ekonomike prej vitit 1993. Sipas të dhënave të institucioneve kompetente, vendi gjatë gjithë kësaj periudhe nuk arriti që të ketë rritje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme ekonomike. Në fakt, gjatë këtyre 23 viteve, madje gjashtë vite janë në shenjë krize, me përqindje negative të rritjes ekonomike. /Telegrafi/