Telegrafi

Ruzhin: Maqedonia është një garë mes Moskës dhe Washingtonit

Maqedonia është shënjestra i një gare mes Moskës dhe Washingtonit ku pas formimit të qeverisë së re, pritet të fitojë perëndimi, vlerëson ish ambasadori Nano Ruzhin. Sipas tij, Rusisë i dhemb fakti se qeveria e deritanishme pro-ruse po zëvendësohet me një qeveri që mbështet idetë pro-evropiane. Jorastësisht, sipas Ruzhinit edhe zëvendës sekretari amerikan i shtetit amerikan, Hoyt Brian Yee, së fundi foli për rrezikun nga interesi i shtuar i Moskës për rajonin.

“Territori i Republikës së Maqedonisë në këtë moment është një interes gjeo-ekonomik, gjeo-politik dhe gjeo-strategjik, në të cilën Rusia para së gjithash dëshiron të merr pjesë të caktuar. Pasi ajo e ka atë pjesë në Serbi, e humbi Malin e Zi kur hyri në NATO. Ka vazhduar një garë, të mos them një luftë e qetë midis Moskës dhe Washingtonit, me atë që Washingtoni siç theksoi dhe Yee kërkon që Maqedonia të vazhdojë në rrugën e demokratizimit dhe reformave”, u shpreh për Alsat, Nano Ruzhin, ish ambasador në NATO.

Për Ruzhin, sa më parë duhet filluar me zbatimin e reformave të parashikuara në Marrëveshjen e Përzhinos, në mënyrë që vendi të integrohet në NATO.

Ruzhin nuk përjashton mundësinë që deri sa të gjendet zgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë, Maqedonia të anëtarësohet në NATO me emërtimin Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, ashtu siç e njeh edhe OKB-ja.