Telegrafi

Rusia zhvendos furnizimet me gjak pranë Ukrainës

Rusia është duke zhvendosur furnizime me gjak së bashku me materiale të tjera mjekësore te grumbullimi ushtarak pranë Ukrainës që do të lejonin në trajtimin e personave të mundshëm të lënduar; në një tjetër kyç të gatishmërisë ushtarake të Moskës, thanë tre zyrtarë amerikanë për Reuters.

Zyrtarët aktualë dhe ish-zyrtarët amerikanë thonë se treguesit konkretë – sikurse furnizimet me gjak – janë kritike në përcaktimin nëse Moska do të ishte e përgatitur të kryente një pushtim, nëse presidenti rus, Vladimir Putin vendos ta bënte këtë.

Zbulimi i furnizimeve me gjak nga zyrtarët amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, i shton një tjetër kontekst paralajmërimeve në rritje të SHBA-së se Rusia mund të përgatitet për një pushtim të ri të Ukrainës, derisa grumbullon më shumë se 100 mijë trupave pranë kufijve të saj.

Këto paralajmërime kanë përfshirë parashikimin e presidentit amerikan Joe Biden se një sulm rus ishte i mundshëm dhe vërejtjet e sekretarit të shtetit amerikan, Antony Blinken se Rusia mund të nisë një sulm të ri ndaj Ukrainës në “njoftim shumë më të shkurtër”.

Pentagoni e ka pranuar më parë vendosjen e “mbështetjes mjekësore” si pjesë të grumbullimit të Rusisë. Por zbulimi i furnizimeve me gjak shton një nivel detajesh që ekspertët thonë se është kritik për përcaktimin e gatishmërisë ushtarake ruse. /Telegrafi/