Rusia ka njoftuar se është e gatshme t’i kthehet marrëveshjes ushqimore, por që kjo të ndodhë, sipas mendimit të tyre, Perëndimi duhet të plotësojë shtatë kushte.
Siç tha zëvendës përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në OKB, Dmitry Polyanskiy, në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kushti i parë ka të bëjë me largimin e sanksioneve ndaj eksporteve të grurit dhe plehrave ruse në tregjet botërore.
“E dyta është heqja e të gjitha pengesave për bankat dhe institucionet financiare ruse që shërbejnë ushqime dhe plehra. Kjo është, ndër të tjera, përfshirja e bankave në sistemin ndërkombëtar Swift”, deklaroi ai.
Siç u përmend, kushti i tretë është rifillimi i dërgesave të pjesëve rezervë për makineritë bujqësore dhe industrinë e plehrave në Rusi, raporton theguardian.
Polyanskiy tha se çmimi i pjesëve rezervë dhe pajisjeve të importuara për prodhuesit rusë është rritur me 40 për qind dhe se “humbjet totale arrijnë në rreth 1.6 miliard dollarë”.
“Kushti i katërt është zgjidhja e të gjitha çështjeve të transportit dhe sigurimi i dërgesave ruse të produkteve ushqimore, sigurimi i logjistikës së plotë për dërgimin e ushqimit”, shton ai.
Sipas tij, kushti i pestë është sigurimi i kushteve për zgjerimin e dërgesave të plehrave ruse, lëndëve të para për prodhimin e tyre, duke përfshirë restaurimin e tubacionit të amoniakut Tolyatti-Odesa dhe kushti i gjashtë ka të bëjë me zhbllokimin e fondeve ruse që lidhen me sektorin e bujqësisë.
“Kushti i shtatë është që marrëveshja për ushqimin të jetë përsëri e natyrës humanitare, si në fillim. Ajo duhet të funksionojë në interes të vendeve të varfra, e jo t’i bëjë vendet e pasura edhe më të pasura. Sapo të plotësohen të gjitha këto kushte, Rusia do t’i kthehet marrëveshjes për ushqimin. Gjithçka që kemi dëgjuar dhe parë deri më tani është vetëm demagogji dhe hipokrizi”, përfundoi Polyanskiy.
Ndryshe, Rusia nuk po pranon të vazhdojë marrëveshjen për eksportimin e sigurt të grurit ukrainas, i cili ka skaduar tashmë ndërsa ishte arritur pas ndërmjetësimit të Turqisë dhe OKB-së. /Telegrafi/