Telegrafi

Rusia tërhiqet nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor

Rusia të martën njoftoi se do të tërhiqet nga projekti i Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) pas vitit 2024.

Me këtë ky vend ka sinjalizuar një fund të një epoke në një nga fushat e fundit të mbetura të bashkëpunimit midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, përcjell Telegrafi.

Sipas mediave të huaja, ka qenë kreu i sapoemëruar i agjencisë hapësinore të Rusisë Roscosmos që njoftoi vendimin në një takim me presidentin rus Vladimir Putin të martën.

Kështu, ka thënë ai, kompania në vend të kësaj do të fokusohet në ndërtimin e stacionit të saj orbital.

“Ne do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona ndaj partnerëve tanë, por vendimi për t’u larguar nga ky stacion pas vitit 2024 është marrë”, citohet të ketë thënë shefi i agjencisë hapësinore Yury Borisov.

Zyrtarët rusë kanë diskutuar largimin nga projekti që të paktën që nga viti 2021, duke përmendur “plakjen e pajisjeve dhe rreziqet në rritje të sigurisë”.

Vendet e përfshira në ISS ranë dakord të përdorin stacionin deri në vitin 2024 dhe NASA planifikoi ta përdorte stacionin deri në vitin 2030.

Por përçarja e vazhdueshme midis Moskës dhe Uashingtonit lidhur me pushtimin rus të Ukrainës dhe një breshëri kufizimesh ekonomike duket se e kanë përshpejtuar tërheqjen.

Muajin e kaluar, kreu i mëparshëm i Roscomos, Dmitry Rogozin, tha se bisedimet për përfshirjen ruse pas vitit 2024 janë të mundshme vetëm nëse hiqen sanksionet e SHBA kundër industrisë ruse hapësinore dhe sektorëve të tjerë të ekonomisë. /Telegrafi/