Telegrafi

Rusia provokon Danimarkën dhe Suedinë – aeroplani spiun rus shkel hapësirën ajrore daneze dhe suedeze

Danimarka dhe Suedia thonë se një aeroplan spiun rus ka shkelur hapësirën e tyre ajrore.

Zyrtari danez thotë se aeroplani hyri në hapësirën ajrore të premten në mbrëmje në lindje të ishullit Bornholmit përpara se të fluturonte në hapësirën ajrore suedeze.

“Ambasadori rus do të ftohet nesër në ministrinë e jashtme”, shkroi të dielën në Twitter ministri i Jashtëm danez, Jeppe Kofod, duke iu referuar një “shkeljeje të re ruse të hapësirës ajrore”.

Ministria e Jashtme suedeze njoftoi gjithashtu se ambasadori rus do të ftohet për konsulltime në Stokholm, “ka procedura të përcaktuara për këso lloj rastesh. Bëhet fjalë për thirrjen e përfaqësuesit të kombit të implikuar”.

Kofod shtoi se ishte “krejtësisht e papranueshme dhe veçanërisht shqetësuese në situatën aktuale”, duke aluduar për agresionin në Ukrainë dhe rritjen e tensioneve me NATO-n.

Lexo po ashtu Presidenti kroat shkakton një skandal diplomatik me Suedinë dhe Finlandën

Danimarka është anëtare e NATO-s, ndryshe nga Suedia ku po zhvillohet një debat nëse duhet të braktisë statusin e saj të paangazhuar dhe t’i bashkohet aleancës.

Rusia ka sinjalizuar tashmë se Suedia dhe Finlanda, e cila gjithashtu po mendon për anëtarësim, duhet të marrë parasysh pasojat e një lëvizjeje të tillë në marrëdhëniet dypalëshe dhe arkitekturën e përgjithshme të sigurisë së Evropës. /Telegrafi/