Rusia po zhvillon një luftë hibride në territorin e Bosnjës e Hercegovinës, kështu ka thënë bashkë-kryetari i aleancës Amerikano-Evropiane me qendër në Washington, Reuf Bajroviq.
Bajroviq për “Avaz” ka komentuar deklaratën e ambasadorit rus në Bosnjë e Hercegovinë, Petar Anatoljeviq Ivancov, i cili kundërshton hyrjen e kësaj të fundit në NATO, duke thënë se, “integrimi i Bosnjës dhe Hercegovinës në NATO do të rrezikojë sigurinë dhe stabilitetin”.
“Rusia ka zhvilluar një luftë hibride në territorin e Bosnjës dhe Hercegovinës që nga fundi i vitit 2014, kur u bë e qartë se Bosnja dhe Hercegovina do të bënte një hap përpara drejt NATO-s, sepse atëherë u krijua koalicioni qeverisës, i cili u pajtua për regjistrimin e pasurisë ushtarake. Gjatë vitit 2015, është regjistruar një sasi e mjaftueshme e lokacioneve ushtarake, gjë që çoi në aktivizimin e MAP të NATO-s në vitin 2019, kur u dërgua Programi i Reformës”, thotë Bajroviq.
Një pjesë e aparatit shtetëror të Serbisë dhe Kroacisë janë një pjesë integrale e operacioneve ruse në Bosnjë e Hercegovinë. Ai beson se, e njëjta gjë vlen për disa akterë politikë dhe media në Bosnjë e Hercegovinë.
“Nuk duhet të na habisë që rusët po fillojnë përdorimin e forcës së modeluar në grushtshtetin e dështuar në Mal të Zi në muajin tetor 2016. Rusët kanë zhvilluar një rrjet akterësh të mundshëm paramilitare në Republika Srpska në bashkëpunim me KOS-in, forcuan lidhjet me udhëheqjen e HDZ-së në Bosnjë e Hercegovinë dhe tani janë përqendruar të integrojnë partnerët e tyre në Sarajevë në boshtin Dodik-Çoviq. Do t’i njihni më së miri këta akterë nga Sarajeva duke e dobësuar aktivizimin e MAP-it”, përfundoi ai. /Telegrafi/