Site icon Telegrafi

“Rusia mund të ndërmarrë veprime në Ukrainë që në fillim të kësaj jave”, paralajmëron Blinken

Shtetet e Bashkuara janë “thellësisht të shqetësuara se Rusia mund të ndërmarrë veprime kundër Ukrainës që në fillim të kësaj jave”.

Kështu ka deklaruar sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken në një intervistë për FRANCE 24 të hënën, përcjell Telegrafi.

Pentagoni njoftoi të hënën se Rusia kishte rritur numrin e trupave që rrethonin Ukrainën gjatë fundjavës, duke vlerësuar numrin total të trupave ruse përgjatë kufirit Rusi-Ukrainë dhe në Bjellorusi në mbi 100,000.

Blinken vuri në dukje se vendosja ushtarake e Moskës tregoi një përshkallëzim të tensioneve dhe jo për një de-përshkallëzimin që fuqitë botërore i kanë kërkuar Rusisë të ndërmarrë.

Në një intervistë me Kethevane Gorjestani dhe Sonia Dridi të FRANCE 24, Blinken tha se Uashingtoni ishte “thellësisht i shqetësuar se Rusia mund të ndërmarrë veprime kundër Ukrainës që në fillim të kësaj jave”.

“Gjithçka që po shohim, për sa i përket vendosjes së forcave ruse rreth Ukrainës – në çdo anë të Ukrainës – na çon në këtë përfundim”, ka thënë ai, duke vënë në dukje se Moska, “në vend që të de-përshkallëzohej është përshkallëzuar” duke dërguar “gjithnjë e më shumë forca” në rajon.

Edhe pse Blinken tha se SHBA-ja “po bënte gjithçka që mundet për të bindur Rusinë se duhet të ndjek rrugën diplomatike”, ai paralajmëroi se Uashingtoni po qëndron i gatshëm nëse Rusia zgjedh të pushtojë Ukrainën.

“Ne jemi plotësisht të përgatitur për këtë, në koordinim të ngushtë me të gjithë aleatët dhe partnerët tanë evropianë”. /Telegrafi/

Exit mobile version