Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë vlerësoi të enjten se presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, me nënshkrimin e protokollit për hyrjen e Malit të Zi në NATO, vazhdoi politikën e “inercionit”, e cila mbështet logjikën e kundërvënies në kontinentin evropian.
“Vlerësojmë këtë hap si shenjë të politikës inerte të Uashingtonit, e cila mbështet logjikën e kundërvënies në kontinentin evropian, krijimin e linjave të reja të ndarjes”, thuhet në kumtesën e MPJ-së.
Në kumtesë thuhet se Mali i Zi “po tërhiqet” në NATO, pavarësisht mendimit të popullit dhe vlerësohet se hyrja e vendit në Aleancë është “shumë e gabuar”, pasi është kundër interesit të popullit dhe “dëmton” stabilitetin në Ballkan dhe Evropë në tërësi.
Trump kohë më parë nënshkroi protokollin për hyrjen e Malit të Zi në NATO, pasi që me 97 vota për dhe dy kundër e mbështeti Senati amerikan, transmeton KosovaPress.