Telegrafi

Rusia jashtë Kampionatit Botëror të Atletikës

Federata Ruse e Atletikës ka marrë një tjetër goditje të rëndë, pasi është pezulluar nga pjesëmarrja në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet në muajin gusht në Londër.

Lajmin e ka bërë të ditur Federata Ndërkombëtare e Atletikës pas mbledhjes së zhvilluar në Montecarlo.

Presidenti i IAAF, Sebastian Coe dhe kreu i taskforcës së IAAF ndaj Rusisë, Rune Andersen, duke i bërë publike vendimet e reja (Reuters)

Në bazë të këtij vendimi, atletët që kanë vërtetuar në testet anti-doping se nuk kanë marrë substanca të ndaluara, mund të garojnë por me flamurin neutral dhe jo atë të Rusisë, transmeton Supersport.

Lexo po ashtu CAS: 68 atletë rusë jashtë Olimpiadës

Sipas IAAF, 33 atletë rusë kanë bërë kërkesë që të marrin pjesë në Botërorin e Atletikës së Lehtë që do të zhvillohet në Beograd gjatë muajit mars dhe ata mund të bëjnë të njëjtën gjë edhe për evenimentin e Londrës pas disa muajsh.

Federata Ruse është pezulluar në datën 13 nëntor 2015 pas akuzave për ngritjen e një sistemi dopingu të organizuar nga institucionet shtetërore.

Ishte Agjencia Ndërkombëtare Antidoping që dha alarmin e para dhe më pas Federata Ndërkombëtare mori masën ekstreme në dëm të Rusisë. Kreu i IAAF, Sebastian Coe njoftoi se federata ruse nuk do të riintegrohet përpara vitit 2017.