Kremlini zyrtar ka kritikuar kryeministrin në largim të Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, i cili ka mbikëqyrur mbështetjen e vazhdueshme britanike për Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit rus.
Siç shkruan BBC, përcjell Telegrafi, zëdhënësi i presidentit Vladimir Putin, Dmitry Peskov tha se Johnson “me të vërtetë nuk na pëlqen – dhe ne [nuk e duam] atë”.
Ai tha se shpresonte se “më shumë njerëz profesionistë” të cilët mund të “marrin vendime përmes dialogut” do të marrin drejtimin në Londër.
Ndërkohë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova u tha gazetarëve se Johnson ishte “goditur nga një bumerang i nisur nga ai vetë”, duke shtuar se morali i rrëfimit ishte “mos kërkoni të shkatërroni Rusinë”.
Siç edhe pritej, nga Ukraina kanë ardhur deklarata të kundërta.
Presidenca ka falënderuar politikanin për mbështetjen e tij në “kohët më të vështira”, sipas agjencisë së lajmeve AFP.
Ndryshe, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zhvilloi një marrëdhënie të ngushtë me Johnson që nga fillimi i luftës.
Këshilltari i tij, Mykhailo Podolyak, shkroi më herët në Twitter për ta falënderuar Johnson që ishte “i pari që mbërriti në Kiev, pavarësisht sulmeve me raketa” dhe “gjithmonë ishte në ballë të mbështetjes” së Ukrainës.
Megjithatë, zyrtarët rusë nuk ishin të vetmit kritikë.
Guy Verhofstadt, ish-koordinator i Parlamentit Evropian për Brexit, tha se “Marrëdhëniet BE-MB vuajtën shumë me zgjedhjen e Johnson për Brexit”, duke shtuar se mbretërimi i tij po përfundonte me “turp, ashtu si miku i tij Donald Trump”.
Michel Barnier, ish-kryenegociatori i BE-së, tha se largimi i Johnson “hap një faqe të re në marrëdhëniet me” Mbretërinë e Bashkuar – një që ai shpresonte se do të ishte “më konstruktive, më respektuese ndaj angazhimeve të marra, veçanërisht në lidhje me paqen dhe stabilitetin në Irlandën e Veriut – dhe më miqësore”.
Kryeministri irlandez Micheal Martin e pa gjithashtu dorëheqjen si një shans për një rivendosje të marrëdhënieve me Mbretërinë e Bashkuar. Ai pranoi në një deklaratë zyrtare se ai “nuk ishte gjithmonë dakord” me Johnson, duke thënë se marrëdhëniet midis qeverive ishin “të tendosura dhe të sfiduara kohët e fundit”. /Telegrafi/