Site icon Telegrafi

Rusia e kërcënon Norvegjinë me sulm bërthamor

Janë rritur edhe më shumë tensionet mes Perëndimit dhe Moskës, pasi një zyrtar rus e ka paralajmëruar Norvegjinë, se mund të jetë një objektiv bërthamor, pasi ka lejuar vendosjen e marinsave amerikane në vend.

Frants Klintsevich, nënkryetar i Komitetit të mbrojtjes dhe sigurisë së Rusisë, tha se vendosja e marinsave amerikanë në Vaernes ishte pjesë e grumbullimit të Ushtrisë amerikane dhe e ka vendosur Norvegjinë në lojë në rast të një konfrontimi bërthamor. “Kjo është shumë e rrezikshme për Norvegjinë dhe norvegjezët”, tha ai.

Klintsevich tha për kanalin TV2 të Rusisë, se Kremlini e sheh vendosjen e 330 marinsave në Norvegji si një kërcënim direkt ushtarak.

“Nuk e kemi pasur kurrë më parë Norvegjinë në listën e objektivave për armët tona strategjike, por nëse kjo vazhdon, popullsia në Norvegji do të vuajë. Ne duhet të reagojmë ndaj kërcënimeve definitive ushtarake”, tha ai.

Ndryshe, Norvegjia iu bashkua NATO-së më 1949 por vetëm pasi i kishte dhënë garanci Bashkimit Sovjetik se nuk do të lejonin trupa të huaj që të stacionoheshin aty, transmeton KosovaPress.

Exit mobile version