Telegrafi

Rumania, Moldavia dhe Ukraina me bashkëpunim trepalësh kundër agresionit rus

Rumania, Moldavia dhe Ukraina kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi pas një takimi trepalësh për të forcuar sigurinë në rajonin e tyre të Detit të Zi.

Ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes të tre vendeve fqinje, zyrtarë qeveritarë dhe partnerë ndërkombëtarë u mblodhën sot në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht, për Konferencën e Sigurisë në Detin e Zi.

Rusia ishte “kërcënimi më i drejtpërdrejtë dhe më serioz” për rajonin e Detit të Zi dhe NATO-n, tha ministri i jashtëm i Rumanisë, Bogdan Aurescu.

Bogdan Aurescu

“Në vend të paqes dhe stabilitetit, rajoni i Detit të Zi është bërë objektivi kryesor i agresionit rus”, tha ai, raporton theguardian.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, i cili iu drejtua konferencës përmes video-lidhjes, tha gjithashtu se aleanca ushtarake e NATO-s duhet të luajë një rol më të madh në sigurinë në Detin e Zi dhe të integrojë mbrojtjen ajrore dhe raketore të Ukrainës me ato të anëtarëve të NATO-s.

Kuleba, duke iu referuar pranimit të fundit të Finlandës në aleancë, tha se “është koha për ta kthyer Detin e Zi në atë që është bërë Deti Baltik, një det i NATO-s”.

Ndryshe, Rumania javën e kaluar ka bërë të ditur se do të rifreskojë flotën ajrore duke blerë aeroplanë ushtarakë F-16. /Telegrafi/