Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi njofton se bizneseve do t’iu subvencionohet 50 për qind e pagave të punëtorëve dhe 50 për qind e qirasë për muajin prill.
Rukiqi këtë lajm e ka bërë të ditur në Facebook, pas njoftimit që ka pasur me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Sipas tij, mjetet do të ndahen në fund të muajit prill ose më së largu në fillim të muajit maj.
“Sapo përfunduam një takim shumë përmbajtjesor me ministrin Hekuran Murati. U dakorduam, që për sektorët e ndikuar direkt nga masat e fundit të: subvencionohet 50 për qind e pagave të punëtoreve (për muajin prill); subvencionohet 50 për qind e shpenzimeve të qirasë (për muajin prill); dhe mjetet do të ndahen, në fund të muajit prill, ose më së largu në fillim të muajit maj”, shkruan Rukiqi, përcjell Telegrafi.
Po ashtu, ministri Murati ka thënë se do të dalin së shpejti me dizajnin e masave për të ruajtur ekonominë në Kosovë, me theks të veçantë ata tha se synojnë që të ndihmojnë bizneset me pagesat e qirave dhe pagat e punëtorëve.
“Sa i përket masave që do të merren për të mbështetur bizneset që preken nga masat, kemi takuar përfaqësuesit dhe i kemi siguruar që mbështetja nuk do të mungoj. Ideja është të mbështeten qiratë dhe pagat e punëtorëve. Synimi jonë është të ruhet shëndeti ekonomik dhe vendet e punës. Shumë shpejt do të të marrim masa konkrete”, ka thënë Murati gjatë një konference për medie.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit ka marr vendim për vendosjen e masave, duke ndaluar veprimtarinë e qendrave tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre, siç janë marketet ushqimore, farmacitë si dhe shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri më datë 18 prill.
Me masat e reja, po ashtu ndalohet veprimtaria e tregjeve publike të automjeteve dhe kafshëve.
Vendimi thotë që shërbimet e gastronomisë lejohen të punojnë vetëm me shërbim “merr me vete”, “dërgesë me porosi” dhe “drive-through”, ndërsa marketet e mbyllura ushqimore obligohen që të përcaktojnë numrin maksimal të konsumatorëve në të njëjtën kohë sipas rregullit – 1 person për 8 metra katrorë. /Telegrafi/