Telegrafi

Rukiqi: Pas pandemisë së COVID-19 do të kemi transformim të sektorëve të ekonomisë

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi në një intervistë për Telegrafi.com, ka thënë se periudha pas pandemisë së COVID-19 do t’i transformojë sektorët e ekonomisë.

Ai tha se kompanitë duhet të përkrahen pasi, sipas tij, bizneset kosovare nuk kanë kapacitete financiare që t’i zbatojnë këto ndryshime në të njëjtën kohë.

Do të kemi transformim të sektorëve dhe kjo është arsyeja që kjo rimëkëmbje ekonomike të mos jetë edhe një shpërndarje e parasë pa ndonjë orientim të caktuar por të jetë një plan afatgjatë për transformin e ekonomisë sonë, në mënyrë që të shohim se si t’i ndihmojmë sektorët veç e veç, ku ka nevojë për likuiditet të fusim më shumë mjete, ku ka nevojë të rriten investimet për shembull në pajisje dhe teknologji të reja t’i fusim ato mjete aty, ku ka sektorë me potencial për eksporte ta përkrahim atë sektorë të rritet sidomos kur tani kemi ndryshim të zinxhirëve të furnizimit”, tha Rukiqi.

Ai shtoi se, duhet të ndryshohet edhe mendësia e të bërit biznes në mënyrë që të përballohen edhe krizat tjera.

“Duhet t’i përkrahim kompanitë në masa mbrojtëse dhe standarde, si akomodim, ushqim dhe standardin e organizimit të vendeve të punës, ku të gjitha këto do të ndryshojnë. Kompanitë tona nuk kanë kapacitet financiar që t’i zbatojnë të gjitha në të njëjtën kohë. Duhet të ndryshohet edhe mendësia e të të bërit biznes, në mënyrë që çfarëdo situate tjetër, qoftë pandemike, katastrofës natyrore, ndryshimeve globale dhe krizave të mundshme atëherë kompanitë tona të janë më fleksibile, sa më të adaptueshme në çfarëdo situate”, shtoi ai.

Lexo po ashtu Rukiqi: Asnjë masë e Pakos Emergjente që e prek sektorin privat nuk është zbatuar në tërësi

Në fund, Rukiqi tha se, “pakoja duhet të përfshijë edhe masa fiskale që e nxisin qarkullimin e parasë brenda vendit. Tani likuiditeti ju duhet kompanive”.

Po ashtu, ai në këtë intervistë ka thënë se, dy muaj pas vendosjes së masave detyruese për mbylljen e ekonomisë, ende asnjë masë e Pakos Emergjente Fiskale që e prek sektorin privat nuk është zbatuar në tërësi. /Telegrafi/