Site icon Telegrafi

Rukiqi: Kosova mund të përfitojë 250 milionë euro nga BERZH-i (Video)

Berat Rukiqi, këshilltar në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK), në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Lulzim Ahmeti ka folur për mundësinë e përfitimit të mjeteve financiare nga Banka Evropian për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Sipas tij, nga rreth 40 projekte sa janë prezantuar në Samitin e BERZH-it në Londër nga Kosova, 15 prej tyre mund të financohen.

“Nëse llogaritet si vlerë, Kosova ka mundësi të përfitojë deri në 250 milionë euro”, ka bërë të ditur Rukiqi, që ka qenë pjesë e Samitit të BERZH-it në Londër.

Ai ka thënë se Kosova ende ka vështirësi në hartimin e projekteve të mira. “Kësaj radhe Samiti i BERZH-it në Londër ka tentuar të jetë më konkret që kryeministrat të mos shkojnë vetëm me fjalime politike, por të diskutojnë. Kosova ka qenë më e përgatitur sesa herët e kaluara, por jo në atë nivelin që pritet. Kosova në përgjithësi ka problem të zhvillojë projektet të cilat e arsyetojnë investimin”, theksoi ai.

Sipas tij, projektet e sektorit privat kanë pasur dëshirë dhe ide, por nuk janë në nivelin e duhur për të treguar arsyeshmërinë.
“BERZH-i apo institucionet e ngjashme kërkojnë projekte që kanë një rëndësi dhe të cilat kanë një kthim të mundshëm dhe normalisht nuk rrezikohen mjetet që investohen në to”, tha Rukiqi.

Sipas tij, në projektet e sektorit publik kanë dominuar projektet për trajtimin e ujërave të zeza, kurse sektori privat kishte projekte për energjinë e ripërtërishme.

“Tek shërbimet publike janë tri me rëndësi: si ngrohja, uji i pijes dhe ujërat e zeza. Tek sektori privat kemi pas bashkëpunim me 14 projekte dhe kryesisht ka qenë energjia e ripërtërishme në fokus, për shkak se në strategjinë e BERZH-it ka një pikë kyçe të financimit”, tha Berat Rukiqi nga OEK-u.

Si Odë Ekonomike e Kosovës tha se synojnë që në Samitin e Londrës në korrik t’i dërgojnë për një vizitë pesë kompani të fuqishme nga Kosova. “Të mos bazohemi në numrin e kompanive por në ato që kanë cilësi, dhe të shohim se ku mund të jenë mundësitë. BERZH-it i interesojnë projektet e karakterit rajonal, jo vetëm të tregut”, tha Berat Rukiqi, këshilltar në OEK.

Lista e projekteve të Kosovës që mund të financohen nga BERZH-i:

1. Unaza e jashtme e Prishtinës – 60 milionë euro
2. Ujë matësit digjital për çdo shtëpi – 15 milionë euro
3. Trajtimi i ujërave të zeza në Gjilan – 30 milionë euro
4. Infrastruktura përcjellëse e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Prishtinë – 30 milionë euro
5. Autostrada për në Merdare – 80 milionë euro
6. Zgjerimi i Parkut të Biznesit në Drenas – 15 milionë euro
7. Parkun teknologjik dhe inkubator biznesi – 5 milionë euro
8 Projekte në energji të ripërtëritshme – varësisht nga madhësia dhe kërkesa e sektorit privat
9. Ngrohtore Qendrore të Qyteteve më kusht që nxehtësia gjenerohet nga energjia e gjelbër– rreth 30 milionë euro për qytet:
10. Ndryshimi i gypave të vjetër në Ujësjellësit Rajonal të Gjakovës – 12 milionë euro
11. Nëse lejon kapaciteti financiar në komuna, autobusë të njëjtë si në Prishtinë
12. Rehabilitimi i Kosovës B nëse i kalon disa teste të përcaktuara nga Banka – mbi 100 milionë euro
13. Rehabilitimi i Hekurudhave – 9 milionë euro
14. Rregullimi i shtretërve të lumenjve
15. Rezervuar dhe diga të Ujit.

Kosova momentalisht është vendi i 3-të në Ballkanin Perëndimor për nga bashkëpunimi me BERZH-in. /Telegrafi/

Exit mobile version