Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berat Rukiqi, ka thënë se dy anëtarët e kabinetit qeverisës gjatë kësaj jave kanë “bërë propagandë”.
Ai përmes një shënimi në Facebook thotë se realiteti është krejtësisht ndryshe nga ajo që pretendojnë zyrtarët qeveritarë.
Rukiqi thotë se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pretendon se në Evropë po shkojnë vetëm gjyshet, derisa sipas tij 170 persona në ditë largohen nga Kosova.
“Një javë plot propagandë e dyshes Bislimi-Murati
Bislimi: Kosova po lulëzon ekonomikisht. Vetëm gjyshet po shkojnë për vizita në Evropë
Realiteti: Mesatarisht, 170 persona ikin nga Kosova në çdo ditë të qeverisjes së kësaj Qeverie. Në Kosovë, në këto tri vite, ka lulëzim: të tenderëve sekret, shkeljes së Kushtetutës, migrimi, sanksioneve etj”.
Derisa Rukiqi ka përgënjeshtruar edhe ministrin Hekuran Murati pasi që sipas tij faturat e energjisë i ka subvencionuar Bashkimi Evropian e jo Qeveria e Kosovës.
“Murati: Kemi subvencionuar 61 mijë familje për faturat e energjisë elektrike
Realiteti: Këto fatura i ka subvencionuar projekti i Bashkimit Evropian. Në anën tjetër, jeta e secilit qytetar, përfshirë ato 61 mijë familje, është minimalisht 26% më e shtrenjtë në 3 vitet e fundit”, ka shkruar Rukiqi./Telegrafi/