Andy Ruiz Jr ka folur për meçin ndaj Anthony Joshuas, pas matjeve të fundit para përballjes së dy boksierëve të peshave të rënda.
Dy boksierët e njohur kanë kryer të gjitha matjet dhe më 7 dhjetor pritet të jenë në ring për ndeshjen që do të zhvillohet në Arabi Saudite.
Megjithatë, Ruiz Jr ia ka bërë të qartë Joshuas se do të ketë të vështirë t’i rikthej titujt, pasi do të rrëzoj përsëri në ring.
Këto komente, boksieri amerikano-meksikan i bëri pas matjeve të fundit dhe përballjes së tyre “sy më sy”.
“Jam duke e pritur atë. Por, nëse ai dëshiron të më godas, është më mirë për mua. Unë dua të bëj zhurmë sepse ky është lloji i luftëtarit që jam”, ka thënë fillimisht Ruiz.
“Më 7 dhjetor ne duhet të bëjmë presion, të punojmë në trup dhe ta rrëzojmë atë. Sidomos mentalitetin e tij”.
“Ne kemi për të parë se ku është ai sepse i gjithë presioni është mbi të. Presioni nuk është mbi mua sepse unë ndoqa ëndrrën time, i bëra realitetet ëndrrat e mia. Sigurisht që dua më shumë – Dua të lë trashëgiminë e Andy Ruiz Jr”.
“Njerëzit nuk më kanë parë të rrëzohem në ring. Në fakt unë i copëtoj ata edhe më shpejt kur përpiqen të më rrëzojnë. Të gjithë kemi një plan derisa të goditemi, do të thoshte Mike Tyson”.
“Një grusht mund të ndryshojë luftën. Kjo është ajo që ndodhi më 1 qershor”.
“Mund të jetë pak më e vështirë se hera e parë. Kam për të treguar aftësitë e mia, talentin tim”, përfundoi boksieri amerikano-meksikan. /Telegrafi/