Kanë mbetur më pak se dy muaj deri në fillim të Kampionatit Botëror Katari 2022.
Organizimi i Botërorit në dimër ka ngjallur reagime të shumta që disa vite, por FIFA ishte e vendosur për një gjë të tillë dhe nuk i dëgjoi fare kritikat.
Shumë trajnerë, analistë, drejtues klubesh apo edhe futbollistë kanë dalë kundër një vendimi të tillë, por që Botërori do të mbahet dhe tanimë dihen 32 Kombëtaret që do të marrin pjesë.
I fundit që ka folur kundër organizimit të botërorit në Katar është qendërmbrojtësi gjerman i Real Madridit, Antonio Rudiger.
29-vjeçari ka thënë se vendimi për t’i dhënë Katarit organizimit e Kupës së Botës tregon se paratë luajnë një rol vendimtar në botën e futbollit.
“Vendimi për t’i dhënë Katarit mundësinë e organizmit të Kupës së Botës, nuk ishte një vendim i marrë për tifozët dhe lojtarët, thjesht tregon se paratë luajnë një rol vendimtar në botën e futbollit”, tha Rudiger.
Tutje gjermani u pyet edhe për bojkotin e mundshëm të Kupës së Botës, teksa tha se për të duhet të mendojnë institucionet e jo futbollistët.
“Debatin për bojkot e shoh si diçka që duhet ta bëjnë institucionet, jo lojtarët. Sigurisht që ne duhet t’i shikojmë gjërat në mënyrë kritike dhe e kemi bërë këtë”, u shpreh mbrojtësi gjerman. /Telegrafi/