Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka përshëndetur sot 12-vjetorin e anëtarësimit zyrtar të Shqipërisë në NATO.
“Sot është një datë historike në rrugëtimin euroatlantik të Shqipërisë. Pas përfundimit të ratifikimit të protokollit të anëtarësimit nga të gjitha vendet anëtare dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin Amerikan të Shtetit, Shqipëria u anëtarësua zyrtarisht në NATO më 1 prill 2009. Shqipëria mori për herë të parë pjesë si anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në samitin e Strasbourg/Kehl, më 4 prill 2009. Më 7 prill 2009, në në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamurit të Shqipërisë në NATO”, tha Ruçi.
“Anëtarësimi në NATO ishte kurorëzimi i arritjeve dhe kontributeve të Shqipërisë për sigurinë, stabilitetin dhe paqen. Gjatë këtyre 12 vjetëve Shqipëria është sprovuar si një anëtare e denjë e Aleancës dhe ka kontribuar në misionet e saj në ndihmë të paqes e sigurisë në disa rajone të planetit. Shqipëria, me rrënjë, kulturë dhe aspirata euro-atlantike, arriti para 12 vjetësh në një nga stacionet perëndimore të saj, në atë të sigurisë dhe paqes. Sot jemi në portat e BE-së, stacionit të zhvillimit e mirëqenies, dhe të gatshëm për çeljen e negociatave”, u shpreh Ruçi.
“Me mbërritjen në këtë stacion, Shqipëria dhe shqiptarët i japim fund pozicionit asimetrik midis identitetit tonë europian, pozicionit tonë euro-atlantik dhe të cilët po vijohen e plotësohen nga bashkimi me familjen europiane dhe kthimin e plotë në habitatin politik europian. Shqipëria në NATO dhe në portat e BE-së janë meritë e të gjithë shqiptarëve. Por sot është rasti të shprehim mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme të partnerëve tanë strategjikë, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian për mbështetjen e fuqishme të rrugëtimit tonë euro-atlantik”, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.