Deputeti Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka folur lidhur me deklaratat për mbështetjen këtij subjekti politik ndaj opozitës në Maqedoninë e Veriut, në zgjedhjet të cilat do të mbahen në majin e vitit të ardhshëm.
“Vetëvendosja nuk kërkon pushtet atje, përkrahja politike për ndonjë parti apo për ndonjë politikan të caktuar bëhet mbi bazën e ideve dhe programeve. Në rastin konkret nuk bëhet fjalë për përfshirjen e VV-së atje, por do të thosha se është praktikë ndërkombëtare bashkëpunimi i subjekteve politike në bazën e ideve konceptuale”, ka deklaruar Rrustemi në RTK.
Tutje ai ka folur edhe për implementimin e draft-statutit të Asociacionit, duke thënë se refuzimi i Aleksandër Vuçiqit do të sjellë mos zbatueshmërinë e tij.
“Nuk ka pranim sepse s’ka nënshkrim të marrëveshjes bazë nga ana e Serbisë. Çështja është pse po i ik Serbia nënshkrimit. Vuçiqi po i arratiset nënshkrimit. Ai po insiston te 2013-ta dhe 2015-ta, thotë ma sjellni dokumentin e nënshkruar me Thaçin dhe Mustafën. Ai nuk po e pranon nënshkrimin bashkë me draftin aktual, respektivisht nuk ka zbatim”, ka deklaruar deputeti nga radhët e VV-së.