Telegrafi

Rrustem Mustafa, Vuçiqit: Kujdesu dhe ruaje rrushin dhe tortën për vete, djemtë që ke rrëmbyer lini të lirë

Ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Rrustem Mustafa – Remi ka kërkuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që ta ndalë poshtërimin që po e bën, duke përmendur kështu rastin e fundit të kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe.

Ai përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Vuçiq duhet ta ndalojë poshtërimin dhe të mos provokojë kundër popullit shqiptarë.

Komandant ‘Remi’  i ka thënë Vuçiqit se ‘duam të jetojmë në paqe, mos u ngatërroni me dikë që ju e njihni mirë’.

Më poshtë lexoni statusin e plotë të Rrustem Mustafës: 

Ndale poshtërimin President!

Vuçiq: “Tre policët po hanë torte e rrush, kërkesën e Orbanit do ta shqyrtojmë me kujdes…”

Ne i themi, kujdesu dhe ruaje rrushin dhe tortën për vete, djemtë që ke rrëmbyer lejoj të lirë.

Rrëmbimet, burgosjet, trajtimet jo njerëzore  që keni bërë në të kaluarën kanë prodhuar forcën tek populli dhe jemi të lirë!

Mos provokoni mision kundër jush, populli shqiptarë dëshiron dhe ka interesa të jetojmë në qetësi, kurr më të nënshtruar nga kushdo që synon nënshtrimin…

Duam të jetojmë në paqe, mos u ngatërroni me dikë që ju e njihni mirë”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq të martën ka thënë se se nuk është e vërtetë që shqiptarët e arrestuar janë trajtuar keq.

Lexo po ashtu Vuçiq tregon nëse do të shkojë në Bruksel – flet edhe për tre policët kufitarë të Kosovës të kidnapuar nga forcat serbe

Sipas tij, ata po hanë rrushë, ëmbëlsira si dhe po pinë coca-cola.

“Atje hanë rrush, ëmbëlsira, pinë Coca-Cola dhe asgjë nuk u mungon…”, ka thënë Vuçiq.

Ndryshe, tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë kidnapuar-arrestuar më 14 qershor nga forcat serbe në veri të vendit.

Lexo po ashtu Kidnapimi i tre policëve kufitarë, pala kosovare thotë se u arrestuan në Bare brenda territorit të Kosovës

Policia e cilësoi këtë si “kidnapim klasik të organizuar” brenda territorit të Kosovës, kurse në Beograd u tha se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.

Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur ata dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës. /Telegrafi/