Ish Komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit dhe ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rrustem Mustafa ka reaguar pas mbledhjes së sotme të Komisionit parlamentar ku ishte ftuar për raportim kreu i AKI-së Petrit Ajeti.
Ai ka thënë se sot u dëshmua se AKI-ja ishte e gatshme të dëshmojë se sa e rregullt është si institucion i sigurisë, në përgjigje të shqetësimeve të deputetëve lidhur me pretendimet e disa gazetarëve për përndjekje.
“Unë besoj më shumë në institucione të sigurisë (FSK, Polici e AKI) sesa në gjithçka tjetër. E kam veç një rekomandim për AKI: Bëjeni punën tuaj e mos u habitni nga fjalët për juve! Ju nuk duhet të hutoheni nga asgjë! Nëse këtë e bëni, keni bërë punë të vërtetë! Punë të mbarë!”, ka shkruar Mustafa në Facebook, transmeton Telegrafi.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së kanë lëshuar sot mbledhjen me arsyetimin se ftesa për mbajtjen e kësaj mbledhjeje ishte e kundërligjshme. /Telegrafi/