Shoqata “Jeta” në Deçan ka shërbyer për më shumë se 20 vite si një dritare shprese dhe përkrahjeje për gratë e kësaj komune.
E themeluar menjëherë pas luftës nga Safete Gacaferi dhe disa gra të tjera të përkushtuara, kjo organizatë ka qenë një shtyllë kryesore e përmirësimit të jetës së grave dhe krijimit të mundësive të reja për to.
Për Safete Gacaferin, udhëtimi me Shoqatën “Jeta” nuk ka qenë aspak i lehtë.
Ajo rrëfen se fillimi ishte i mbushur me sfida, por vizioni për të ndihmuar gratë dhe për të sjellë ndryshime pozitive i dha forcë për të vazhduar përpara.
“Shoqata ‘Jeta’ nuk e ka pasur një rrugëtim të lehtë, siç dihet në Komunën e Deçanit menjëherë pas luftës do të thotë i kemi filluar aktivitetet e kemi bo regjistrimin e organizatës me vullnetin e disa grave për të bërë ndryshime pozitive në anën e femrave, të grave të moshave të ndryshme”, ka thënë Gacaferi.
Në bashkëpunim me Ambasadën e Amerikës në Kosovë, Shoqata “Jeta” ka realizuar projekte të rëndësishme që ndihmojnë gratë të zhvillojnë aftësitë e tyre profesionale dhe të ndërtojnë një të ardhme më të mirë.
“Shoqata ‘Jeta’ është në një projekt me ambasadën amerikane, është projekt shumë i mirë dhe jemi duke i ofruar trajnimet për menaxhimin e biznesit, kontabilitetit po ashtu jemi duke ofruar edhe trajnime për floktari, për rrobaqepësi”, ka shtuar ajo.
Pavarësisht sfidave dhe paragjykimeve, Gacaferi ka qenë një shembull i forcës dhe vendosmërisë për gratë e Deçanit.
Ajo inkurajon gratë të mos dorëzohen përballë paragjykimeve, por t’i shohin ato si motivim për të ecur përpara.
“Paragjykimet nuk mund të them se janë vetëm në Kosovë, paragjykimet janë çdo kund. Në momentin që paragjykohesh është motiv për me të shty për të punuar edhe më shumë. Në momentin që ke paragjykime unë e di që jam duke ecur në rrugë të drejtë edhe i pengon ndoshta dikujt, por unë punoj edhe më shumë”, ka vazhduar ajo.
Shoqata “Jeta” ka qenë një derë e hapur për gratë e Komunës së Deçanit, duke ofruar mbështetje emocionale, psikologjike dhe profesionale.
Kjo organizatë ka krijuar një mjedis ku gratë mund të ndajnë shqetësimet e tyre dhe të marrin ndihmën e nevojshme për të përballuar sfidat e jetës.
“Duhet të jem e sinqertë, nuk ka qenë aspak e lehtë në gjithë këtë rrugëtim, i cili ka qenë i vështirë. Por në momentin që e don punën dhe ke vullnet të mirë, mundesh me arrit çdo synim tëndin në jetë”, ka përfunduar Gacaferi.
Shoqata “Jeta” vazhdon të jetë një burim frymëzimi dhe mbështetjeje për gratë, duke kontribuar në fuqizimin e tyre dhe përmirësimin e jetës në Komunën e Deçanit. /Telegrafi/