Rrugët në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan janë mbushur me postera kundër ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq.
Përmes posterave që janë vendosur në vende të ndryshme, Radoiçiq akuzohet për vrasjen e shumë serbëve, transmeton Telegrafi.
“Kush është Radoiçiqi? Patriot i rrejshëm i dyshuar për vrasje të shumta të serbëve në Kosovë. Pronar i një laboratori të drogës. Krimineli që abuzoi me rininë tonë për pasurim personal. Terrorist. Thuani JO organizatës terroriste (Listës Serbe)”, thuhet në disa postera vendosur në komunat veriore.
E, për këto postera ka reaguar edhe zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Radoica Radomiroviq.
Ai ka shpërndarë fotografitë derisa ka shkruar se “Ja çfarë mendojnë serbët për kryebanditin e Listës Serbe”.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani, tha për Telegrafin se lidhur me rastin kanë njoftuar prokurorin.
“Sot policia ka has në postera në Leposaviq, Soqanica, Leshak dhe Zubin Potok. Jemi konsultuar me prokurorin dhe nuk ka elemente për me inicu rast”.
Ndryshe, më 24 shtator, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një polic.
Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë. Policia konfiskoi, po ashtu, sasi të madhe armatimi.
Radoiçiq e mori përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se “personalisht” e ka organizuar rebelimin e armatosur në veri të Kosovës. /Telegrafi/