Site icon Telegrafi

Rruga e suksesit të Bebe Rexhës në një fotografi

Bebe Rexha (Foto: Getty Images)

Bebe Rexha është aktualisht një prej këngëtareve më të kërkuara në botë, kur kihet parasysh se fansat e pëlqejnë shumë muzikën e saj.

Realizimi i disa hiteve muzikore, ka bërë qa ajo tashmë të ketë statusin e yllit dhe të interpretojë para dhjetëra mijëra njerëzve në koncertet që i mban anekënd botës.

Mirëpo, ajo nuk e harron asnjëherë fillimin e vështirë në karrierën e saj muzikore. Kështu, përmes një fotografie të publikuar në Instagram, 28-vjeçarja ka treguar se ku ka nisur dhe ku është tash.

Bleta Rexha (emri i vërtetë i këngëtares) ka lindur në Brooklyn të New Yorkut (më 20 gusht 1989) nga prindër shqiptarë. Babai i saj, Flamur Rexha, ka lindur në Dibër të Maqedonisë, kurse nëna e këngëtares, Bukurije Rexha, ka lindur në SHBA, por familja e saj vjen nga Gostivari.

Lexo po ashtu Lajmet për Bebe Rexha

Duke qenë se bleta në anglisht është ‘bee’, këngëtarja vendosi që emrin skenik ta kishte ‘Bebe’.

Karrierën muzikore në skenën e madhe e nisi si vokaliste e grupit eksperimental të Pete Wentz, “Black Cards” (2010–2012). Në vitin 2013, ajo nënshkroi me Warner Bros dhe filloi incizimet si solo artiste. Në ndërkohë, ajo shkruante këngë për yje tjera, si Selena Gomez (“Like a Champion”), Nikki Williams (“Glowing”) e sidomos hiti i Eminem dhe Rihanna, “The Monster”.

Kënga debutuese solo e saj, “I Can’t Stop Drinking About You”, u publikua në mars të vitit 2014, kurse në maj të vitit 2015 e lansoi albumin debutues, “I Don’t Wanna Grow Up”.

Më pas, filluan bashkëpunimet e suksesshme (si “Hey Mama”, “Me, Myself & I”, “No Broken Hearts” e “In the Name of Love”) dhe këngët solo që e shndërruan në një yll të njohur muzikor.

Në vitin 2016, Bebe ishte nikoqire e ‘MTV Europe Music Awards’ në Roterdam të Holandës dhe interpretoi disa këngë të saja gjatë asaj mbrëmjeje.

“I Got You”, “Meant to Be” dhe tash “I’m a Mess” janë hitet që vazhdojnë të dëgjohen. /Telegrafi/

Exit mobile version