Telegrafi

Rruga e Prishtinës dhe Ballkanit deri në finalen e madhe të Kupës së Kosovës

Prishtina-Ballkani (Foto: FC Prishtina/Facebook)

Prishtina dhe Ballkani do të luajnë sot (e mërkurë) mes vete në finalen e madhe të Kupës së Kosovës në futboll.

Finalja e madhe mes Prishtinës dhe Ballkanit është paraparë të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 17:45.

Përveç trofeut, kjo finale ka vlerë të madhe edhe për një vend në garat evropiane, pasi fituesi kalon në kualifikimet për Ligën e Evropës.

Kur kanë mbetur edhe pak orë deri në fillimin e kësaj finale, Telegrafi ka bërë një përmbledhje ku tregohet rruga e dy klubeve deri në finale.

Lexo po ashtu Sot zhvillohet finalja e madhe e Kupës së Kosovës, Prishtina dhe Ballkani luajnë për trofeun dhe garat evropiane

Ekipi i drejtuar nga Armend Dallku deri në finale ka ardhur pas ndeshjeve me kundërshtar jo të fortë, por me fitore të lehta, përveç ndaj Arbërisë.

Kryeqytetasit e kanë nisur kampanjën e Kupës me Minatorin e Magurës kur fitoi 4-0.

Golat u shënuan nga Meriton Korenica, Gathuier Mankenda, Alban Shillova dhe Kreshnik Uka.

Raundi pasues doli të jetë më i vështirë dhe Prishtina fitoi minimalisht ndaj Arbërisë së Dobrajës, e cila ka siguruar Superligën.

Prishtinasit fituan me rezultat 1-0 falë një goli të Meriton Korenicës nga penalltia.

Shorti në çerekfinale, Prishtinës ia caktoi Vushtrrinë, që e mposhti bindshëm me rezultat 4-1.

Golat në këtë përballje u shënuan nga Endrit Krasniqi, Otto John dy gola dhe Ergyn Ahmeti.

Në gjysmëfinale, Prishtina u përball me Drenicën, të cilën e mposhti me rezultat të përgjithshëm 6-2.

Ndeshja e parë u mbyll me fitore 3-0, ndërsa kryeqytetasit fituan 3-2 në ndeshjen kthyese.

Në anën tjetër, skuadra e Ismet Munishit kishte kundërshtarë të fortë në rrugën e saj.

Ata eliminuan klube si Drita, Trepça ’89, Dukagjini dhe në fund Feronikelin.

Për Ballkanin gjithçka nisi me takimin ndaj Dritës ku koha e rregullt u mbyll me rezultat 1-1.

Pas penalltive, therandasit kaluan në finale.

Në ndeshjen e dytë Ballkani luajti ndaj Trepçës ’89 në shtëpi, ku e eliminoi me shumë lehtësi.

Ata fituan 3-0 falë golave të shënuar nga Blend Baftiu, Arbër Hoxha dhe Ermal Krasniqi.

Në çerekfinale, Ballkani kishte kundërshtarin më të lehtë në rrugën drejt finales, pasi u takua me Dukagjinin, ku triumfuan si mysafirë me rezultat 2-0.

Ylli i skuadrës Blend Baftiu dhe sulmuesi Arthur Magani shënuan golat e fitores.

Ndeshja më e fortë ishte ajo gjysmëfinale kundër Feronikelit, ku në të dy ndeshjet rezultati ishte 1-1 dhe falë golit të shënuar në fushën kundërshtare, Ballkani arriti suksesin historik.

Golin e vetëm e shënoi sulmuesi Mirlind Daku.

Finalja e sotme pritet më shumë emocion nga dy taborët, të cilët kanë deklaruar se janë gati dhe imperativi i vetëm është fitorja. /Telegrafi/