Bashkë me verën, Kosovës i vijnë edhe mërgimtarët. Përveç, për të pushuar, ata vijnë të çmallen me familjarët e të afërmit. Por ky pushim, përveç anës financiare, po iu kushton edhe me orë të tëra.
Rrugën e tyre drejt atdheut, po e zgjasin veçanërisht pritjet shumë-orëshe nëpër kufij…
Nerxhivane Sejdiu Ferati, mësuese e gjuhës shqipe dhe përkthyese në Gjenevë, çdo vit vjen për pushime në Ferizaj me familjen e saj.
Ata zgjedhin të vijnë në Kosovë me veturë për dy arsye: çmimet e biletave të aeroplanit i konsiderojnë të larta, dhe së dyti, vetura u duhet gjatë qëndrimit njëmujor në Kosovë.
Por, ardhja në vendlindje po u kushton me kohë. Ajo ka treguar për albinfo.ch, se varësisht edhe prej komunikacionit, udhëtimet me veturë nga Zvicra në Kosovë mund t’u zgjasin deri në 38 orë.
“Rruga varet prej pritjeve në kufi. Ndodh që presim nga dy deri në tetë orë në kufi”, tregon Nerxhivanja.
Edhe ata që udhëtojnë me autobus, përballen me pritje të ngjashme. Një mërgimtar nga Cyrihu, që i ka rastisur të vijë në Kosovë edhe me autobus, tregon se ka harxhuar rreth 37 orë.
Rrugë pak më të shkurtër bëjnë mërgimtarët që vinë nga vendet e Ballkanit. Pavarësisht se a udhëtojnë me veturë apo autobus, disa mërgimtarë nga Sllovenia dhe Bosnja, bëjnë deri në 15 orë rrugë për të ardhur në Kosovë ose anasjelltas. Megjithatë, as këta nuk kursehen nga pritjet e gjata në kufi.
Aeroplani kursen kohën, por dëmton xhepin
Aeroplani duket zgjidhja e duhur për të kursyer kohën, por jo edhe paratë. Një pjesë e mërgimtarëve, sidomos ata që vinë me familje, kanë levërdi të vinë me veturë, pikërisht për shkak të shpenzimeve më të vogla.
Nerxhivanja thotë se gjatë sezonit të verës, kanë hasur bileta (vajtje-ardhje) me çmime 600 e deri në 700 franga. Marrë parasysh këto çmime, për të dhe familjen e saj katër anëtarëshe, është më ekonomike që ta përdorin veturën. Siç tregon ajo, udhëtimi me veturë, duke llogaritur të dy drejtimet dhe çdo shpenzim tjetër të nevojshëm gjatë rrugës së gjatë, u kushton më pak se 1,000 euro.
Mbërritja në Kosovë, çmimet e larta dhe përsëri pritjet
Megjithatë, shpenzimet e larta të mërgimtarëve nuk përfundojnë me mbërritjen në atdhe. Nerxhivanja thotë se gjatë kohës kur vinë mërgimtarët në Kosovë, me raste, ngriten çmimet e produkteve të ndryshme.
Sipas saj, manipulime me çmime bëhen sidomos në shitoret të cilat nuk u vendosin produkteve tiketa të çmimeve. E këtë problem, ajo tashmë e ka adresuar edhe te disa zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë.
“Sidomos në rroba ka ngritje të çmimeve. Nëse afrohemi ne dhe e pysim për çmimin, ta zëmë një produkt kushton realisht 18 euro, dhe e pyesim sa është çmimi, ata (shitësit) thonë: ja, për ty, merre 25 euro”, tregon ajo.
Por ky nuk është problemi i vetëm me të cilin po përballen mërgimtarët që vinë në Kosovë. Nerxhivanja thotë se sa herë që vinë për pushime, hasin në punime në rrugë, çka ua vështirëson qarkullimin.
“Ka punime nëpër rrugë, devijme të rrugës, pikërisht kur vinë mërgimtarët, dhe bëhet tollovi… Nëse do të shkosh diku për drekë me familjen apo ta vizitosh dikë, më shumë harxhon kohë rrugës se sa që qëndron për vizitë”, shton ajo më tej.
Përtej rrugëve, mërgimtarët po përballen me pritje edhe nëpër institucione e dyqane në Kosovë. E sipas Nerxhivanes, nuk po respektohet as radha e pritjes.
Organizimet për diasporën: Të duhura, por jo në kohën e duhur
Mësuesja kosovare nga Gjeneva është e informuar me aktivitetet që organizojnë në Ferizaj për diasporën. Por sipas saj, po mbahen shumë herët, në një kohë kur ende nuk janë mbledhur të gjithë mërgimtarët.
“Në komunën e Ferizajt, organizimet zakonisht i bëjnë në muajin qershor, dhe nuk është koha adekuate. Nëse duan ta grumbullojnë diasporën, duhet t’i mbajnë duke filluar prej muajit korrik”, sugjeron ajo.
Po ashtu, Nerxhivanja thotë se duhet të ketë më shumë guida/udhërrëfyese dhe mjete tjera që i ndihmojnë mërgimtarëve por edhe turistëve të tjerë ta vizitojnë një qytet të caktuar.
Sa i përket fushës së kulturës, ajo konsideron se edhe çmimet e librave në Kosovë janë të larta krahasuar me standardin e jetesës. Për këtë, ajo sugjeron që bibliotekat të furnizohen me libra të ri, e po ashtu të jenë të qasshme edhe për mërgimtarët.
Dhe për fund, si një person i dhënë pas arsimit, Nerxhivanja sugjeron që gjatë kohës kur vinë mërgimtarët, të organizohen më shumë seminare e tryeza diskutimesh mes studentëve të Kosovës dhe atyre të diasporës.
Dhe pavarësisht sfidave që hasin, Nerxhivanja, si plot mërgimtarë të tjerë, premton se do të vijë përsëri në Kosovë. Një muaj nga secili vit do ta ruajë për atdheun, të cilin e mban në mendje përherë e kudo. Sepse dashuria për Kosovën, e tërheq si një magnet…
Biletat e aeroplanit, në top sezon, deri në 700 franga
Nerxhivanja thotë se gjatë sezonit të verës, kanë hasur bileta (vajtje-ardhje) me çmime 600 e deri në 700 franga. Marrë parasysh këto çmime, për të dhe familjen e saj katër anëtarëshe, është më ekonomike që ta përdorin veturën. Siç tregon ajo, udhëtimi me veturë, duke llogaritur të dy drejtimet dhe çdo shpenzim tjetër të nevojshëm gjatë rrugës së gjatë, u kushton më pak se 1000 euro.
Një muaj në vit secili do ta ruajë për atdheun
Dhe pavarësisht sfidave që hasin, Nerxhivanja, si plot mërgimtarë të tjerë, premton se do të vijë përsëri në Kosovë. Një muaj nga secili vit do ta ruajë për atdheun, të cilin e mban në mendje përherë e kudo. Sepse dashuria për Kosovën, e tërheq si një magnet… /albinfo.ch/