Ajo pjesë e rrugës nuk është e re, por për shkak të rrethojave në kufijtë e tjerë, është bërë një nga më të shpeshtat në rrugën ballkanike.
Rreth pesëdhjetë refugjatë dhe migrantë hyjnë çdo ditë në Serbi nga veriu i Kosovës dhe vazhdojnë udhëtimin e tyre drejt Perëndimit.
Në tunel kanë hyrë në pjesën e Kosovës, por nga ai dolën në pjesën e Serbisë. Thonë se janë nga Siria, por nuk duan të prezantohen.
“Është shumë me rrezik, është shumë ftohtë, kurse ne jemi shumë të lodhur. Duam të arrijmë të pushojmë. Duam të gjejmë një vend të sigurtë të jetojmë me familjet tona”, thotë një migrant sirian për Al Jazeeera Balkans, përcjell Telegrafi.
Derisa vazhdojnë të ecin, ata nuk janë të sigurtë se në cilin shtet janë dhe nëse kufijtë janë të hapur për ta.
Kjo nuk i pengon që ata në orët e hershme të mëngjesit të vazhdojnë rrugën përgjatë hekurudhës nëpër temperatura të ulëta, e cila ditëve të fundit ishte edhe nën zero gradë.
Pasi Serbia ndërtoi një rrethojë mbrojtëse me Maqedoninë Veriore, refugjatët dhe migrantët kanë gjetur një rrugë alternative. Rruga që lidh Rashkën e Serbisë me Veriun e Kosovës, është bërë ndër nga rrugët e frekuentuara ballkanike të shkuarjes së migrantëve drejt Evropës Perëndimore.
Ata që përcjellin rrugët e refugjatëve dhe migrantëve thonë se kjo rrugë nëpër veriun e Kosovës nuk është e pazakontë.
“Fillimisht hyjnë në Greqi, pastaj kalojnë nëpër Maqedoni dhe Shqipëri për të hyrë në Kosovë. Këtu shfrytëzojnë rrugët alternative për kalim ilegal të kufirit”, thotë Radosh Gjuroviq nga Qendra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Azilkërkuesve në Serbi.
Ai thotë se migrimin e tyre nuk mund ta ndalojë asgjë, sepse do ta rrezikojnë jetën, paratë dhe gjithçka që kanë vetëm për të arritur në një vend të Evropës dhe për të jetuar të sigurt. /Telegrafi/