Site icon Telegrafi

Rrotullohet autobusi në Argjentinë, 19 të vdekur

Të paktën 19 persona kanë humbur jetën kur autobusi me të cilin udhëtonin është përmbysur në një rrugë malore mes Andeve, pranë kufirit mes Argjentinës dhe Kilit.

Aksidenti, sipas zyrtarëve ka ndodhur pranë Aconcaguas, mali më i lartë jashtë Azisë prej 6.961 metrash, pika më e lartë e Amerikës së Jugut, ndërsa sipas një të mbijetuari të paidentifikuar, autobusi ishte duke lëvizur me shpejtësi të madhe, pavarësisht shqetësimeve që kishin ngritur pasagjerët.

Kompania kiliane që menaxhonte automjetin tha se po bën të gjitha përpjekjet për të identifikuar viktimat.

Sipas guvernatorit të provincës së Mendozës, Alejandro Gulle, dy shoferët e autobusit i kanë mbijetuar aksidentit, ndërsa tashmë janë shoqëruar nga policia për t’u marrë në pyetje në qytetin turistik Uspallata, shumë pranë malit më të lartë të zonës.

Mes të vdekurve janë edhe 3 fëmijë, ndërsa shumica e tyre janë argjentinas, por ka edhe kilianë, kolumbianë dhe haitianë.
Shkaqet e aksidentit ende nuk janë bërë zyrtarisht të ditura, por përmbysja e tij ka ndodhur kur moti ka qenë i mirë dhe rruga ka qenë shumë mirë e mirëmbajtur, pavarësisht se me kthesa të rrezikshme.

Të paktën 41 persona të tjerë, shumica e të cilëve oficerë policie, humbën jetën kur një autobus doli nga ura dhe ra poshtë në veriperëndim të Argjentinës gjatë dhjetorit të vitit 2015.

Exit mobile version