(E plotësuar) – Pasditen e së enjtes rreth orës 19:00, në afërsi të Sllatinës në magjistralen Prishtinë-Pejë është rrokullisur një veturë në të cilën ndodheshin pesë persona brenda.
Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e këtij aksidenti.
Drejtori i Emergjencës në QKUK Naser Syla, tha për Telegrafin se njëri person ka humbur jetën në vendin e ngjarjes ndërsa një grua ka vdekur në QKUK, duke mos mundur t’i përballojë plagët e marra.
Nga ky aksident, të lënduara kanë mbetur edhe dy vajza, të cilat ndodhen në Emergjencë.
“Një tjetër paciente është sjellë e lënduar rëndë, por për momentin e ka gjendjen stabile. Pacientja tjetër ka marrë lëndime mesatarisht të rënda”, tha Syla për Telegrafin.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, kishte deklaruar më parë se sipas informatave të para, personi që po voziste veturën kishte humbur kontrollin mbi të.
“Me datën 29.08.2024, rreth orës 18:56, policia ka pranuar informatën se afër fshatit Sllatinë, drejtimi Prishtinë-Pejë një veturë në të cilin gjendeshin 5 persona kishte humbur drejtimin dhe ishte rrotulluar dhe është shkaktuar një vetaksident”, ka deklaruar ai.
Zëdhënësi Hoxha tha se në vendin e ngjarjes ka dalë policia, ekipi emergjent dhe zjarrfikësit.
“Autoritetet ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë hetime, përderisa për detaje do të njoftoheni pas raportimeve shtesë nga zyrtarët nga vendi i ngjarjes”, deklaroi tutje Hoxha./Telegrafi/