Telegrafi

Rrokulliset me traktor në Gjilan – vdes pasagjeri, lëndohet drejtuesi i automjetit

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se një person, pasagjer ka humbur jetën dhe drejtori i  traktorit është lënduar pas rrokullisjes me traktor në Gjilan.

Rasti ka ndodhur të hënën, në ora 18:45.

“I dyshuari mashkull kosovar derisa kishte qenë duke e drejtuar traktorin në rrugë me një pjerrtësi të madhe dhe kthesë në anën e majtë e kishte humbë kontrollin mbi drejtimin e traktorit dhe  kishte goditur anësoret e rrugës e më pas ishte rrokullisur… Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda vdekjeprurëse kishte pësuar pasagjeri që kishte qenë në traktor, viktima mashkull kosovar i cili kishte ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.

Lëndime trupore ka pësuar edhe i dyshuari drejtuesi i traktorit i cili pas marrjes së ndihmës së parë në qendrën emergjente në Ferizaj është dërguar në QKUK për tretman të mëtejmë mjekësor.

Trupi i pajetë i viktimës me urdhër të prokurorit është dërguar në IML. Rasti procedohet në procedurë të rregullt. /Telegrafi/