Site icon Telegrafi

Rritet eksporti i mallrave nga Kosova në Shtetet e Bashkuara

Në Kosovë vitin e fundit eksporti drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka shënuar rritje mbi 50 për qind. Vetëm deri në muajin qershor të këtij viti, kompanitë prodhuese kanë eksportuar rreth 40 milionë euro mallra në shtete të ndryshme amerikane.

Në vitin 1994, Shaqir Palushi nga një fshat i komunës së Suharekës, rreth 70 kilometra larg Prishtinës, vendosi që bashkë me vëllezërit të fillonte prodhimin e lëngjeve nga frutat.

Kompania e tij “Fruteks” sot ka të punësuar rreth 200 persona dhe eksporton prodhimet e saj edhe në Shtetet e Bashkuara.

“Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, eksportin e kemi filluar në fillim të vitit 2020, pavarësisht pandemisë dhe kjo mendoj që na ka penalizuar se nuk kemi pasur ndonjë shtrirje shumë të gjerë. Por, aktualisht i kemi dy partnerë, njërin e kemi në New York dhe tjetrin në California ndërsa brenda këtij muaji do të fillojmë po ashtu bashkëpunimin edhe me një partner tjetër në Pensilvania e kështu besoj se do të rritet shtrirja e produkteve në SHBA”, thotë ai.

Pijet alkoolike dhe joalkoolike janë në mesin e prodhimeve të Kosovës eksporti i të cilave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shënuar rritje, thotë zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci.

“Deri tash ne kemi eksportuar gjatë këtij viti rreth 40 milionë euro produkte të ndryshme, derisa nëse shikohet viti 2020 vërehet se ka pasur rritje mbi 50 për qind sepse në vitin 2020 janë eksportuar në Amerikë diku 23 milionë euro. Ndërkohë nga viti 2019 sërish i bie që ka pasur rritje shumë të madhe sepse atë vit kemi pasur vetëm 3 milionë euro mallra të eksportuara. Pra ka rritje në disa kategori që eksportohen drejt SHBA-ve”, thotë zoti Stavileci.

Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë, thotë se rritjen e eksportit nga Kosova në Amerikë e ka lehtësuar në masë të madhe ajo që njihet si “aranzhman i njëanshëm preferencial tregtar”.

“Një aranzhim tregtar i cili u mundëson shteteve në zhvillim, siç është Kosova, që të eksportojnë rreth 3500 produkte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pa iu nënshtruar detyrimeve doganore. Në rastin tonë jemi me fat që nuk eksportojmë produkte të cilat do të përbënin konkurrencë të drejtpërdrejtë për produktet amerikane, kështu që gati të gjitha produktet që prodhohen në Kosovë bëjnë pjesë në ato të cilat lirohen nga detyrimet doganore”, thotë ai.

Palushi thotë se kjo masë e vendosur nga Shtetet e Bashkuara e ka bërë shumë të lehtë qasjen në tregun amerikan.

“Në një mënyrë a një tjetër do të thotë nuk kanë kosto më tepër pothuajse se sa kur shpërndahen në vendet e Ballkanit dhe kjo sigurisht që na jep një mundësi të mirë që ne ta rrisim prezencën tonë në këtë vend”, thotë ai.

Zeka thotë se prodhuesit në Kosovë duhet të shfrytëzojnë lehtësi të tilla edhe për të ndihmuar në rimëkëmbjen ekonomike të vendit nga pasojat e COVID-19.

“Është mirë që në tërë këtë fatkeqësi që ka godit globin e rrjedhimisht edhe Kosovën, këta 14-15 muaj prej shpërthimit të pandemisë, Kosova ka arritur që të shfrytëzojë çrregullimet që janë krijuar në zinxhirët global të furnizimit, kryesisht në ato që dikur janë njohur si fabrika globale në Kinë apo shtete të tjera aziatike. Uroj që ne të vazhdojmë të shfrytëzojmë këtë situatë të re që është krijuar pas shpërthimit të pandemisë COVID-19”, thotë ai.

Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës aktualisht sektorët si mobilieria, tekstili dhe pijet prijnë për nga sasia e eksporteve drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /VOA/

Exit mobile version