Kanceri i qafës së mitrës është një nga format më të shpeshta të kancerit tek gratë dhe shkaktohet nga infeksioni me HPV, një virus që transmetohet seksualisht.
Ekspertët shëndetësorë thonë se në Kosovë viteve të fundit ka pasur rritje të numrit të rasteve të kancerit të qafës së mitrës, e në përpjekje për të parandaluar këto raste tashmë në vendin tonë ka filluar të jepet vaksina që ofron mbrojtje efektive kundër infeksioneve me HPV.
Drejtori i Klinikës Obstetrike dhe Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Zef Ndrejaj në një intervistë për Telegrafin ka folur mbi rëndësinë e vaksinimit kundër kancerit të qafës së mitrës.
Ndrejaj gjithashtu tha se është i mendimit që kjo vaksinë të bëhet e detyrueshme.
“Karcinoma e qafës së mitrës te femrat është një prej karcinomave më të shpeshta, pas karcinomës së gjirit. Dhe kjo vaksinë ka pas nevojë të vendoset në program të vaksinimit edhe para shumë viteve. Mirëpo mundem me thanë se tash me vendosjen në program të vaksinimit të kësaj vaksine është një prej arritjeve më të mëdha ndoshta në shëndetësinë në vitet e fundit në Kosovë”, theksoi ai.
Mes tjerash, ai tregoi se kjo vaksinë tashmë është duke u dhënë në të gjitha shtetet e civilizuara.
“Unë e kisha me thanë që ndoshta me fut edhe si vaksinë e domosdoshme, për shkak se dimë që vaksina nuk është kurrë direkt në lidhje me karcinomën, por me shkaktarin kryesor të karcinomës qafës së mitës”, ka pohuar ai.
Duke folur mbi rëndësinë e kësaj vaksine, Ndrejaj tha se prindërit nuk duhet hezituar në vaksinimin e fëmijëve, derisa theksoi se kjo vaksinë mund të merret prej moshës së pubertetit.
Drejtori i Klinikës Gjinekologjike rekomandoi që vaksina të merret para se të nisin jetën seksuale.
Megjithatë, ai shtoi se edhe moshat më të mëdha mund ta marrin, por që duhet testuar paraprakisht nëse e kanë virusin në trup.
Gjithashtu, Ndrejaj theksoi se kjo vaksinë preferohet të merret edhe të meshkujt.
“Preferohet të merret edhe të meshkujt, se edhe të meshkujt kanë karcinoma, siç janë karcinomat e organeve gjenitale te meshkujt”, pohoi ai për Telegrafin.
Ndrejaj gjatë intervistës tha se të dhënat e fundit flasin për rritje të kancerit të qafës së mitrës, ku në vitin 2022 kanë pasur 50 raste, kurse në vitin 2023 kanë qenë 66 raste. Ndërsa, që nga fillimi i vitit 2024 janë konfirmuar tetë raste./Telegrafi/