Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka paralajmëruar ashpërsim të masave për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19.
Zemaj këtë deklaratë e ka bërë pas takimit që ka pasur me komandantin e KFOR-it, Gjeneral major Michele Risi, transmeton Telegrafi.
“Në takim me komandatin e KFOR-it, Gjeneral major Michele Risi, kemi bashkëbiseduar për aktualitetin dhe shqetësimin lidhur me luftimin e virusit Covid 19. Duke u bazuar në rritjen e rasteve pozitive në dy javët e fundit, do të jemi të detyruar që edhe më tej t’i ashpërsojmë masat”, ka shkruar ai në Facebook.
Më tej, ai ka thënë se “ është vlerësim i përbashkët që para së gjithash, për siguri, duhet ta ruajmë shëndetin publik, andaj edhe duhet të veprojmë për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes”
“E falënderova Gjeneralin për tërë përkushtimin që ofron KFOR-i për sigurinë e qytetarëve tanë, paqes dhe stabilitetit në gjithë territorin e Kosovës. Të veprojmë menjëherë, duke shmangur lëvizjet e panevojshme, të qëndrojmë në shtëpi dhe të respektojmë masat anti Covid”, ka pohuar ai.
Ndryshe, në vendin tonë është duke vazhduar trendi i rritjes së rasteve me coronavirus, vetëm në 24-orët e fundit janë konfirmuar 546 raste të reja, ndërsa numri i viktimave ka arritur në
714./Telegrafi/