Site icon Telegrafi

Rritja e prodhimit të drithërave në Shqipëri ul ndjeshëm importin nga Serbia, Kosova mbetet partneri kryesor tregtar në rajon

Rritja e prodhimit të drithëra në Shqipëri që u nxit vitin e kaluar nga lufta në Ukrainë dhe ulja e konsumit të brumërave i çuan importet e grurit nga Serbia gjatë periudhës janar-prill drejt përgjysmimit.

Serbia ishte një furnitor i rregullt i Shqipërisë me grurë sidomos pas luftës në Ukrainë kur tregtia me Rusinë u vështirësua.

Dy grupe e mëdha të importit nga Serbia në Shqipëri shënuan rënie në këtë 4-mujor, lëndët djegëse dhe drithërat përkatësisht me 73 dhe 48 për qind.

Shqipëria është deficitare në tregtinë e mallrave me Serbinë, por pozicioni tregtar u përmirësua ndjeshëm në 4 muajt e parë të vitit 2023, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, raporton Monitor.

Gjatë janar – prill, Shqipëria importoi 7.3 miliardë lekë [67 milionë euro] mallra me një rënie 24 për qind në raport me të njëjtën periudhe të vitit të kaluar. Nga ana tjetër, eksportet shqiptare në Serbi në të njëjtën periudhë arritën një vlerë prej 5.6 miliardë lekësh, me rritje 13 për qind.

Shqipëria kishte deficit tregtar 1.6 miliardë lekë nga 4.6 miliardë lekë në janar – prill 2022, me tkurrje 64 për qind.

Të dhënat më të detajuara tregojnë se bilanci tregtar u përmirësua nga rënia importeve të drithërave nga Serbia dhe rritja e eksporteve të frutave dhe zarzavateve shqiptare në Serbi.

Gjithashtu këtë vit u vu re rritje e ndjeshme e eksporteve shqiptare të naftës dhe mineraleve drejt Serbisë, grupi më i madh i eksportit në vlerë prej 2.7 miliardë lekësh me një rritje vjetore 92 për qind.

Zarzavatet ishin grupi i dytë më i eksportuar në Serbi me vlerë 975 milionë lekë, me rritje vjetore 25 për qind në 4-mujorin e parë.

Giza dhe Çeliku ishte grupi tretë më i madh i eksportit shqiptar në Serbi për nga vlera, me një total prej 103 milionë lekësh në 4-mujor, me rritje vjetore 20 për qind.

Rritje të konsiderueshme shënuan edhe eksportet e peshkut, kripërave dhe frutave.

Gjatë viteve të fundit, volumet tregtare mes Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor (Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjës dhe Malit të Zi) janë rritur ndjeshëm, jo më shumë nga lehtësimi i procedurave tregtare, se sa nga nisma private e bizneseve që kanë vlerësuar me leverdi tregtinë afër kufijve, për produkte që më parë i faturonin në vende më të largëta.

Të dhënat zyrtare mbi tregtinë e jashtme tregojnë se më 2022, Shqipëria realizoi 10 për qind të tregtisë me vendet e rajonit nga 6.5 për qind në vitin 2010.

Kosova është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë në rajon, me të cilën u realizua 35 për qind e volumit tregtar.

Partneri i dytë tregtar më i rëndësishëm është Serbia, me të cilën kemi 31 për qind të volumit tregtar rajonal, më tej Maqedonia e Veriut, me 21 për qind, Mali i Zi me 8 për qind dhe Bosnjë-Hercegovina me 4 për qind. /Telegrafi/

Exit mobile version