Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar vendimin për rritjen e pensioneve, duke thënë se po synojnë të ndihmojnë shtresat sociale, që kanë më së shumti nevojë. Ai ka thënë se këtë vit planifikohet të fillohet me reformën e sistemit pensional.
Kurti ka pohuar se me vendimin që kanë marrë në mbledhjen e Qeverisë, pensioni bazik, pensioni familjar dhe ai invalidor i punës janë rritur për 11%, kurse pensioni i aftësisë së kufizuar për 33%, transmeton Telegrafi.
“Me vendimin e djeshëm të Qeverisë janë rritur pensionet ashtu që të mos kemi asnjë të tillë nën 100 euro. Kësisoj, pensioni bazik, pensioni familjar dhe ai invalidor i punës janë rritur për 11%, kurse pensioni i aftësisë së kufizuar për 33%. E dimë që jemi larg mirëqenies por duam që me rritjen aktuale ekonomike të ndihmojmë shtresat sociale që kanë më së shumti nevojë. Këtë vit planifikojmë të fillojmë edhe reformën e sistemit pensional, që të sigurojmë sistem të drejtë dhe pension të dinjitetshëm për secilin pensionist që ka dhënë kontribut për vendin tonë’, ka shkruar kryeministri në profilin e tij në Facebook.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur ditën e mërkurë, ka marrë vendim për rritjen e shumës së përfitimit të skemave pensionale të financuara nga shteti nga shumat aktuale në shumën prej njëqind (100) euro, për pensionet bazike; pensionet e aftësisë së kufizuar; pensionet familjare; dhe pensionet invalidore të punës. Me miratimin e këtij vendimi, në Kosovë nuk do të ketë më pensione nën shumën prej 100 eurove. /Telegrafi/