Telegrafi

Rritja 20 për qind e pensioneve, Haradinaj: Mashtrim i Kurtit në shkëmbim të votës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka akuzuar Qeverinë në ikje për mashtrim në lidhje me rritjen e pensioneve, e cila u njoftua sot nga ekzekutivi.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj e cilësoi këtë veprim si një përpjekje për të fituar votat e një prej kategorive më të ndjeshme të shoqërisë – pensionistët.

“Ky është një mashtrim që shkon përtej humanizmit,” ka shkruar Haradinaj, duke theksuar se rritja e pensioneve nuk përmirëson realisht gjendjen e pensionistëve për shkak të bazës së ulët aktuale të pensioneve.

Ai gjithashtu vuri në dukje se rritja është “gjysmake” dhe përjashton kategori të tjera sociale që kanë nevojë për ndihmë.

Haradinaj premtoi se nëse AAK do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme, do të ketë një rritje të menjëhershme prej 50% të të gjitha pensioneve dhe skemave pensionale, si dhe një rritje vjetore prej 10%. Ai shtoi se të gjitha skemat pensionale do të tejkalojnë pagën minimale prej 500 euro./Telegrafi/