Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale.
Tahiri para mediave pohoi se Qeveria ka bërë disa shkelje lidhur me këtë ligj, transmeton Telegrafi.
“Sot grupi parlamentar i AAK-së i mbështetur edhe nga dy deputetë të pavarur dorëzoi kërkesën lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale. Në kërkesën tonë kemi adresuar tri çështje që janë të rëndësishme”, tha ai.
Tutje, ai tha se presin vlerësimin nga Gjykata Kushtetuese, pasi siç tha ai me këtë ligj janë bërë diskriminime për veteranët dhe po ashtu edhe për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë.
“Presim që drejtësia të del në vend”, tha mes tjerash ai.
Ndryshe, para disa ditësh Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për pagën minimale me 60 vota për, një abstenim dhe asnjë votë kundër. Ligji parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto ose 250 euro neto.
Deri tani, paga minimale në Kosovë është ndarë në dy kategori: 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit mbi 35 vjeç. /Telegrafi/