Site icon Telegrafi

Rritja e pagave për sektorin publik dëmton rritjen e punësimit dhe sektorin privat

Në vend që Qeveria e Kosovës të investojë në rritjen e punësimit që është mbi 50% për moshat 15 deri në 24 vjeç, ky institucion po vazhdon që të rrisë buxhetin për 80 mijë të punësuar në sektorin publik, me çka e rritë edhe më shumë ndarjen në mes të sektorit publik dhe privat që i ka mbi 250.000 të punësuar.

Në një analizë të përafërt, sipas entit të statistikave të Kosovës  dhe Maqedonisë, Kosova ka gjithsej 330.000 të punësuar, ndërsa Maqedonia 730.000 të punësuar.

Në tabelën e mëposhtme mund t’i shihni dallimet mes Kosovës dhe Maqedonisë. Kosova dhe Maqedonia kanë numër të  përafërt të popullsisë, në 2 rreth milionë banorë.

Gjatë ditës së djeshme Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarve që marrin paga nga buxheti i Kosovës, duke e rritur buxhetin edhe për 24 milionë euro më shumë se ne 2017-të.

Sipas këtij vendimi pagat rriten 4 përqind mbi pagën bazë, duke filluar nga 1 janari i vitit 2018, por që kjo rritje nga drejtues të odave në Kosovë po shihet me skepticizëm, ku disa prej tyre,  më të udhës e shohin krijimin e vendeve të reja të punës,  sesa rritjen e pagave për sektorin publik.

Buxhetit të Kosovës për këtë vit do t’i kushtojnë 598 milionë euro  paga dhe mëditje, gjë e cila është bërë e ditur edhe nga  Ministri i Financave, Bedri Hamza.

Hamza ka theksuar se për paga dhe mëditje janë paraparë 589 milionë euro.

“Për kategorinë paga dhe mëditje për vitin 2018 janë paraparë të jenë 589 milionë euro, një rritje prej 4.3 përqind në raport me shpenzimet e parashikuara për paga dhe mëditje në buxhetin për vitin 2017. Ky buxhet për paga dhe mëditje parasheh rritjen e pagave për të gjithë të punësuarit në sektorin publik nga 1 janari i vitit 2018, pagat për rritje të punësimit në sektor strategjik të vendit dhe punësimi për institucione të reja”, tha ai.

E Instituti GAP përmes një analize që i ka bërë buxhetit të Kosovës për vitin 2018, ka theksuar se ky buxhet për paga dhe mëditje ka një rritje prej 4.1 përqind krahasuar me vitin e kaluar.

“Në projektligjin e buxhetit 2018 vërehet një rritje në shumën e ndarë për kategorinë e pagave dhe mëditjeve prej 4.1% (nga 566 në 589.4 milionë euro), që është në vijë me nenin 22/C të LFPP-së i cili kufizon rritjen e pagave në sektorin publik bazuar në rritjen nominale të Bruto Produktit Vendor (BPV) të vitit 2016”, thuhet në raport.

Por, vërejtje ky institut ka sa i përket alokimit të buxhetit për mbulimin e kostos së punëtorëve të rinj potencial.

“Nuk është alokuar buxhet për mbulimin e kostos së punëtorëve të rinj potencial edhe pse Ministria e Financave ka rritur tavanin për numrin e punëtorëve në shumë institucione në këtë projektligj, ku numri total është rritur për mbi 1,000 punonjës. Akomodimi i punonjësve të rinj potencial mund të behët vetëm nëse ndodh rritja e pagave bazuar në performancën e shërbyesve civil dhe jo rritje e pagave për tërë shërbyesit civil në sektorin publik”, thuhet tutje në raport.

Por, këshilltari i Kryeministrit të Kosovës, Haki Shatri, për KosovaPress ka thënë se të gjitha çështjet janë paraparë në buxhetin e Kosovës.

“Rritja e pagave sipas një rregulle që jemi dakorduar me FMN-në, çdo rritje e GDP-së, sa rritet GDP brenda vitit aq lejohet rritja e vëllimit të parave që ndahen për paga. Është paraparë në buxhet dhe është e aprovuar, janë të siguruara paratë. Buxheti për vitin 2018 e ka të paraparë edhe këtë rritje prej 4 përqind”, i ka thënë KosovaPressit përmes telefonit.

Në anën tjetër, kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se Kosova është shndërruar në një shoqëri të varur nga importi dhe se përveç importit të produkteve të ndryshme po importohet edhe një inflacion.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës më tepër do të duhej të orientohej në krijimin e vendeve të reja të punës sesa në rritjen e pagave për sektorin publik. Ndërsa, ka theksuar se rritja e pagave në sektorin publik e dëmton në masë të madhe sektorin privat.

Më tej Gërxhaliu, ka theksuar se Kosova duhet orientuar më tepër në krijimin e vendeve të reja të punës

“Duhet të jemi të orientuar më tepër në krijimin e vendeve të reja të punës, në hapjen ose në kthimin e besimit të të rinjve në ardhmëri dhe një gjë e tillë bëhet vetëm duke e mbështetur sektorin privat. Besoj që një rritje e pagave në sektorin publik nga dimensioni psikologjike duhet të jetë demotivues për të rinjtë e Kosovës që të jenë të përgatitur për sfidat në sektorët privat, gjithkush do të tentoj të jetë i punësuar vetëm në sektorin publik dhe besoj kjo do të jetë edhe një indikator shtesë i cili paraqet Kosovën në mënyrë paksa paradoksale. Institucionet paralajmërojnë shkallë të lartë të papunësisë, ndërsa sektori privat ka nevojë për fuqi punëtore. Prandaj besoj që duhet ta kemi një qasje jo selektive, një qasje gjithëpërfshirëse dhe nga kjo rritje e pagave të fitojnë të gjithë dhe jo vetëm sektori publik”, ka thënë ai.

Gërxhaliu thotë se nëse një shtet mendon të krijojë qëndrueshmëri, duhet të fuqizojë dhe të forcojë sektorin privat.

“Në një shtet ku sektori privat krijon vende të reja të punës definitivisht krijohet një qëndrueshmëri dhe hapët një perspektivë e re që të rinjtë të ja mësyjnë këtij sektori që është garanci e zhvillimit. E them këtë bazuar edhe në përvojat e vendeve më të zhvilluara qoftë në rajon, qoftë në Evropë dhe definitivisht bartës i stabilitetit social dhe bartës i stabilitetit politik dhe ekonomik duhet të jetë sektori privat. Por, që të arrihet kjo objektivë duhet të ketë shumë më tepër mbështetje institucionale, por jo vetëm mbështetje nga institucionet, nga grantet dhe nga politikat fiskale, por edhe nga mbrojtja nga një agresivitet i informalitetit që vije nga vendet e rajonit. Prandaj, për ekonomi duhet të bëhet më tepër se sa të flitet dhe në qoftë se mendohet për ekonomi të bëhet më tepër atëherë sektori privat, mbështetja e sektorit privat duhet të jetë prioritet i prioriteteve”, theksoi Gërxhaliu.

Ndërkaq, Agjencia e Statistikave të Kosovës muaj më parë ka publikuar rezultatet e anketës së Fuqisë Punëtore për tre mujorin e tretë të vitit 2017, ku sipas rezultateve të AFP-së, në TM3 2017, shkalla e papunësisë është 30.2%. Papunësia më e theksuar është te femrat me 38 %, krahasuar me meshkujt, 27.8%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 53.3%./kp

Exit mobile version