Site icon Telegrafi

Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, BSPK: Po rëndohet gjendja sociale e punëtorëve, kërkojmë rritjen e pagës minimale

Ditëve të fundit është vërejtur një rritje e theksuar e çmimeve për produktet bazë të konsumit, ku për Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës kjo ka rënduar gjendjen sociale të punëtorëve dhe qytetarëve në vend.

Sipas BSPK-së, pas kësaj gjendje duhet të ketë rritje të pagës minimale në vend.

“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) po ndjekë me shqetësim rritjen e çmimeve të artikujve esencial në Kosovë. Kjo e rëndon edhe me tepër gjendjen sociale të punëtorëve dhe të qytetarëve në vend. Fatkeqësisht edhe pse ka rritje të vazhdueshme të çmimeve edhe për artikujt esencial siç janë mielli, vaji, sheqeri, etj., nuk kemi rritje pagash për punëtorët si dhe paga minimale në vend vazhdon të mbetet e njëjtë”, thuhet në reagim, shkruan Telegrafi.

BSPK thotë se kjo rritje e pagave duhet të bëhet sa më parë.

“Ftojmë publikisht Qeverinë që t’i bashkohet Këshillit Ekonomiko-Social dhe të iniciohet rritja e pagës minimale në vend. Është e rëndësishme që kjo të bëhet sa më parë në mënyra që të përfshihet në Buxhetin e vitit të ardhshëm. Njëkohësisht ftoj deputetët e Parlamentit të Kosovës, pa dallim që të përkrahin rritjen e pagës minimale në vend”, përfundon reagimi.

Lexo po ashtu Agjencia e Statistikave konfirmon rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore në Kosovë, rëndohet buxheti familjar

Agjencia e Statistikave të Kosovës, në raportin për muajin shtator, thotë se Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur kryesisht te produktet e mishit, qumështit, perimet, uji e lëngjet, lëndët djegëse dhe shërbimet hoteliere.

“Bukë dhe drithëra me 1.5 për qind, mish me 1.9 për qind, qumësht, djathë e vezë me 7.7 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore me 28.2 për qind, perime me 19.7 për qind, sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira me 2.1 për qind, pijet alkoolike me 3.8 për qind, duhan me 2.7 për qind, gaz me 10.6 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 4.6 për qind, karburantet dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 26.7 për qind, shërbime për transport me 2.2 për qind, shërbime telefonike dhe të telefaksit me 20.3 për qind, pushime të organizuara turistike me 8.9 për qind, shërbime hoteliere me 2.3 dhe shërbime financiare me 6 për qind”, thuhet në raport.

Qytetarët këto rritje i kanë shpjeguar si katastrofale për të gjithë, duke thënë se rritjet nuk mund të mbulohen me paga të tilla në nivel vendi edhe në kohë pandemie.

E disa të tjerë thonë që kjo është rritje e çmimeve botërore, mirëpo në Kosovë nuk do të duhej të ndodhte për shkak se ka me vite që pagat dhe pensionet nuk janë ngritur. /Telegrafi/

Exit mobile version