Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se mosveprimi i Qeverisë karshi rritjes së çmimeve po e rëndon barrën ekonomike të qytetarëve.
Hoti në seancën e Kuvendit të Kosovës ka theksuar se, bizneset në 20 vjetet e fundit nuk kanë qenë më të pasigurta se tani.
“Janë rritur çmimet bazike të ushqimeve. Brenda një viti çmimi i miellit është rritur për 29 për qind, buka prej 17 për qind, vaji prej 46 për qind, qumështi prej 9 për qind, patatet prej 24 për qind, nafta prej 26 për qind e kështu me radhë. Një familje që ka një të ardhur mesatare, shumicën e shpenzimeve e ka në këto produktet bazike”, tha Hoti, përcjell Telegrafi.
“Kemi pasur rritje të energjisë elektrike, ku tarifa e ulët është rritur prej 104 për qind dhe 84 për qind për tarifën e lartë”, ka shtuar ai.
Sipas tij, pranimi i tubacionit të gazit do t’i sillte Kosovës rreth 200 milionë euro.
“Kemi parë bllokimin e OSHP-së që ka lënë të bllokuara miliona euro projekte gjithandej nëpër Kosovë. Projekti i gazit amerikan është refuzuar e që do të sillte rreth 200 milionë euro dhe disa milionë euro kredi nga bankat e tjera”, ka theksuar ai.
“Jemi të vetëdijshëm që këto nuk i ka sjell Qeveria Kurti, por mosveprimi dhe veprimi i gabuar e rëndon barrën për qytetarët. Bizneset në 20 vjet nuk kanë qenë më pa të sigurta”, përfundon Hoti. /Telegrafi/