Site icon Telegrafi

Rritet raportimi i rasteve të dhunës në familje nga viti në vit

Foto: Ilustrim

Dhuna në familje është një fenomen mbarë botëror që mund të haset në çdo komunitet dhe kudo në botë dhe si e tillë prek gjithë shoqërinë njerëzore, në të gjitha nivelet dhe shtresat e saj, mirëpo ndërsa flasim për Kosovën, Policia bën të ditur se raportimet e rasteve të dhunës në familje kanë ardhur duke u rritur nga viti në vit.

Kështu kanë thënë për Telegrafin nga Zyra e informimit të Policisë së Kosovës.

Sipas raportit thuhet se që nga muaji janar i vitit 2020 deri në muajin nëntor janë raportuar 1.861 raste të dhunës në familje.

Tutje në raport thuhet se në vitin 2017 ishin raportuar 1.269 raste, në vitin 2018 u raportuan 1.541 raste dhe në vitin 2019 u raportuan 1.915 raste të dhunës në familje.

“Masat dhe përkushtimi i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës me mekanizmat tjerë institucionalë në parandalimin e dukurisë së rasteve me elemente të dhunës në familje reflekton qasjen proaktive në fushën e parandalimit dhe sensibilizimit të shoqërisë. Trajtimi i rasteve me prioritet nga ana e PK-së, bashkëpunimi i qytetarëve me policinë dhe sensibilizimi i qytetarëve ka ndikuar në ngritjen e raportimit të rasteve”.

“Andaj referuar rasteve të ngritura si dhe në veçanti referuar situatës dhe rrethanave qe gjendemi në këtë kohë pandemie, Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë qytetarët që të mos shfaqin dhunë ndaj askujt. Policia e Kosovës edhe përkundër angazhimeve shtesë këto raste i trajton me prioritet dhe bënë apel për të gjithë personat nëse janë pre e dhunës në familje ose çfarëdo lloj dhune tjetër, t’i raportojnë këto raste përmes numrave të telefonit 192 dhe 080019999 apo në stacionin më të afërt policor”.

“Për rastet e dhunës ne familje, duhet të kihet parasysh se raportimet e rasteve të dhunës në familje kanë ardhur duke u rritur nga viti në vit (2017 janë 1269 raste, 2018 me 1541 raste, 2019, 1915 raste). Policia në vazhdimësi në forma të ndryshme ka apeluar që këto raste të raportohen”.

Më poshtë mund t’i shihni në formë tabelare statistikat e rasteve të dhunës në familje të ndara në muaj, për periudhën janar – nëntor 2020:

/Telegrafi/

Exit mobile version