Site icon Telegrafi

Rritet punësimi në Shqipëri

Punësimi u rrit me 4.3 për qind gjatë tremujorit të katërt të vitit 2017, në Shqipëri krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 0.9 për qind krahasuar me tremujorin paraardhës.

Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi sot Anketën e Forcave të Punës për tremujorin e 4-t të vitit 2017.

Në terma vjetorë, rritja e punësimit i atribuohet sektorëve kryesorë të ekonomisë si ai i shërbimeve ku punësimi u rrit me 8.4 për qind, pasuar nga ai i industrisë që shënoi rritje të punësimit me 7.3 për qind.

Në sektorin e bujqësisë pati një rënie të punësimit prej 1.5 për qind.

Në tremujorin e katërt 2017, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 13.4 për qind. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2016, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0.8 për qind. Krahasuar me tremujorin e tretë 2017, shkalla zyrtare e papunësisë pësoi një rënie prej 0.2 për qind”, thuhet në raportin e INSTAT-it.

Krahas rënies së papunësisë, sipas INSTAT u rrit edhe shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç. Gjatë kësaj periudhe shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për këtë grupmoshë është 67.4 për qind.

Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2016, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 1.7 për qind më e lartë. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm ky tregues është rritur me 0.3 për qind. /ATA/ Telegrafi/

Exit mobile version