Site icon Telegrafi

Rritet prodhimi, nafta mbi 50 dollarë për fuçi

Çmimet e naftës janë stabilizuar ditën e enjte pas të dhënave në SHBA që treguan rënie të inventarëve dhe rritje të prodhimit në nivelin më të lartë në 2 vite.

Nafta brent e Londrës regjistrohej pranë 50.27 dollarëve për fuçi në hapje të sesionit tregtar, ndërsa indeksi bruto, në 46.73 dollarë për fuçi. Të dy indekset ranë me më shumë se 1% dje në mbrëmje.

Administrata e Informacionit për Energjinë raportoi se inventarët e naftës bruto ranë me rreth 13% nga niveli i lartë i muajit mars, në 466.5 milionë fuçi. Inventarët janë tashmë më të ulëta se në vitin 2016.

Megjithatë, outputi po rritet shpejtë pasi prodhuesit e naftës argjilore po përfitojnë nga rritja e fundit e çmimeve.

Prodhimi në SHBA u rrit me 79 mijë fuçi, duke arritur në mbi 9.5 milionë fuçi në ditë gjatë javës së kaluar, që është niveli më i lartë që prej Korrikut 2015.

Rritja e aktivitetit në SHBA ka përkeqësuar punën e Organizatës së Vendeve Eksportuese dhe prodhuesve jashtë OPEC si Rusia, për të ulur tepricën globale.

Prodhuesit e naftës kanë përfituar prej kërkesës së fortë në vitet e fundit, nxitur kryesisht nga shitja e madhe e makinave të reja në Kinë, që arritën në mbi 2 milionë në muaj.

Megjithatë, kjo periudhë po përfundon pasi shitja e automjeteve është ngadalësuar dhe ndërsa po nis përdorimi i alternativave të lëndëve djegëse fosile. /Telegrafi/

Exit mobile version