Ministri i Ekonomisë Driton Kuçi sot ka folur në edicionin e nëntë të ndarjes së Çmimit nacional për praktikat më të mira të përgjegjësisë shoqërore të ndërmarrjeve në vend, përcjell Telegrafi Maqedoni.
‘Kjo tregon se koncepti i përgjegjësisë soqërore është bërë pjesë integrale e funksionimit të bizneseve në vend, duke ndjekur shembullin e Evropës. Bashkë me të, në mënyrë të drejtpërdrejt përmirësojnë konkurrencën e tyre në tregun global, rrisin vlerën e shtuar të produkteve dhe shërbimeve të tyre, rrisin reputacionin dhe imazhin e kompanive, marrëdhëniet me furnizuesit, konsumatorët dhe investitorët potencialë, motivojnë punonjësit e tyre, dhe punojnë për një sukses afatgjatë në biznes’ tha ministri Kuçi në paraqitjen e tij.
Kuçi informoi se themelet e kësaj tradite i ka vendosur Ministria e Ekonomisë me synim që të zhvillojë kapacitetet e organizatave të punëdhënësve në konceptin e përgjegjësisë sociale në rajonin e Evropës Juglindore.
Në konkurrencë prej kompanive më eminente në vend, çmimi nacional për “Menaxhim etik” iu nda kompanisë Dauti Komerc, si kompani që vazhdimisht investon në përmirësimin e kushteve për të punësuarit, ndihmat që ua ofron komunitetit, studentëve njerëzve në nevojë. Kompanitë tjera që fituan çmime janë EVN Maqedoni, Feni Industri, Rade Konçar etj.
Qëllimi i çmimit është të promovojnë praktika pozitive të veprimit shoqëror përgjegjës dhe të japë inspirim për hyrje dhe avancim të mëtutjeshëm të përgjegjësisë shoqërore tek ndërmarrjet. Këtë vit kompanitë kanë konkuruar me 38 projekte. /Telegrafi/