Telegrafi

Rritet numri i të rinjve që konsumojnë alkool dhe drogë në Maqedoni

Kriza e gjatë politike dhe shoqërore ka prekur në mënyrë direkte jetën e adoleshentëve. Rreth 80% e nxënësve të moshës 13-16 vjeçare tashmë kanë konsumuar alkool, rreth 40% kanë pirë duhan, ndërsa 5%, marihuanë. Vjosa Reçica nga Instituti i Shëndetit Publik citon rezultatet nga Raporti për përdorimin e cigareve, alkoolit, drogës te rinia shkollore gjatë vitit 2015.

“38.4% nga të gjithë fëmijët kanë pirë duhan në jetën e tyre. Ndërsa gjatë 30 ditëve të fundit 24.2% nga fëmijët kanë pirë duhan. Përsa i përket përdorimit të alkoolit, gjatë jetës së tyre 57% nga fëmijët kanë përdorur alkool. Gjatë 12 muajve të fundit 51% nga fëmijët kanë përdorur alkool, ndërsa gjatë 30 ditëve të fundit 38% nga fëmijët e anketuar kanë përdorur alkool”, deklaroi Vjosa Reçica.

Sociologu, Gjorgi Tonovski vlerëson se shkaku kryesor i përhapjes së këtyre sjelljeve devijante, respektivisht dukurive socio-patologjike është për shkak të procesit të gjatë të rënies së, siç theksoi ai, “diktaturës”.

Tonovski fton prindërit të jenë më vigjilent, të marrin masat e duhura nëse vërejnë shenja se fëmijët e tyre janë në rrugë të gabuar; fton mësim-dhënësit t’u flasin nxënësve për dëmet e përdorimit të duhanit, alkoolit e drogës dhe institucionet sociale të parandalojnë përhapjen e këtyre dukurive.