Telegrafi

Rritet dogana për blerjet me vlerë më të ulët se 150 euro në BE

Komisioni Evropian ka propozuar sot reformën e bashkimit doganor të Bashkimit Evropian, e cila ndër të tjera parashikon vendosjen e detyrimeve doganore për produktet vlera e të cilave është më e ulët se 150 euro. Reforma e propozuar shfuqizon pragun aktual në bazë të të cilit mallrat me vlerë më të vogël se 150 euro përjashtohen nga taksat doganore, i cili u shfrytëzua gjerësisht nga mashtruesit.

Komisioni thekson se është një praktikë shumë e zakonshme ulja e menjëhershme e vlerës së paketave që hyjnë në BE për të shmangur pagesën e detyrimeve doganore. Sipas propozimit të ri, platformat online do të bëhen akterët kryesorë për të siguruar që mallrat e shitura online në BE të përmbushin të gjitha detyrimet doganore.

Ky është një ndryshim i rëndësishëm nga sistemi aktual doganor, i cili vendos përgjegjësinë mbi konsumatorët dhe transportuesit individualë. Platformat do të jenë përgjegjëse për sigurimin e pagesës së detyrimeve doganore dhe TVSH-së në momentin e blerjes, kështu që konsumatorët nuk do të ekspozohen më ndaj tarifave të fshehura ose dokumenteve të papritura kur marrin një paketë.

Duke qenë se platformat online janë importues zyrtarë, konsumatorët e BE-së mund të jenë të sigurt se të gjitha detyrimet janë paguar dhe se blerja e tyre është e sigurt dhe në përputhje me standardet mjedisore, të sigurisë dhe etike të BE-së.

Ai gjithashtu thjeshton llogaritjen e tarifave doganore për produktet më të zakonshme me vlerë të ulët të blera jashtë BE-së, duke reduktuar mijëra kategoritë e mundshme doganore në vetëm katër.

Kjo do të lehtësojë shumë llogaritjen e tarifave doganore për paketat e vogla, gjë që do të ndihmojë platformat dhe autoritetet doganore të përpunojnë më mirë miliardë copat e mallrave të blera në tregtinë elektronike që hyjnë çdo vit në BE. Regjimi i ri, i përshtatur i tregtisë elektronike, pritet të sjellë të ardhura shtesë doganore në vlerën miliarda euro në vit.

Turqia është gjithashtu anëtare e bashkimit doganor, që do të thotë se ajo mund të tregtojë me BE-në pa tarifa, por nuk mund të ketë politikën e saj tregtare plotësisht të pavarur. Nga ana tjetër, Britania e Madhe anëtare e deritanishme e BE-së nuk e donte “opsionin turk” dhe vendosi të largohej nga bashkimi doganor, gjë që krijon probleme të mëdha në Irlandën e Veriut. /Telegrafi/