Site icon Telegrafi

Rriten të ardhurat në Shqipëri

Të ardhurat e qeverisë së Shqipërisë u rritën gjashtë për qind në 11 muajt e parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2016-s.

Ministria e Financave raportoi se për periudhën janar-nëntor buxheti i shtetit arkëtoi 390.4 miliardë në total, ose 22.1 miliardë lekë më shumë sesa një vit më parë.

Sipas tabelës fiskale, zërat me kontributin kryesor në rritjen e të ardhurave ishin Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, taksat kombëtare dhe akcizat, të cilat së bashku i kanë sjellë buxhetit të shtetit gati 14 miliardë lekë më shumë sesa vjet.

Por, rritja e të ardhurave është shoqëruar me një rritje edhe më të lartë të shpenzimeve. Sipas Ministrisë së Financave, në 11 muajt e parë të vitit shpenzimet e buxhetit ishin 39.8 miliardë lekë më të larta sesa vjet.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për 11-mujorin 2017 arritën në rreth 401 miliardë lekë me një realizim në masën 96.6% të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016 ky zë ka rezultuar 11% më i lartë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 11 mujorin e vitit 2017 u realizuan në masën rreth 84.6 për qind të planit vjetor të ndryshuar.

Për 11 mujorin e vitit 2017 shpenzimet kapitale u realizuan në masën 51.4 miliardë lekë ose rreth 86% në raport me fondet e planifikuara për këtë periudhë. Financimi i brendshëm dhe financimi i huaj janë realizuar respektivisht në masën 65.8 për qind dhe rreth 78.4 për qind të planit vjetor.

Sikurse evidentohet nga tabela e treguesve fiskal të konsoliduar, realizimi i të ardhurave të përgjithshme në masën 390.4 miliardë lekë dhe realizimi i shpenzimeve të përgjithshme prej rreth 401 miliardë lekë, është shoqëruar me një deficit buxhetor prej rreth 10.6 miliardë lekë.

Exit mobile version