Anglia po përballet me një emergjencë të fruthit me 86 raste të konfirmuara së fundmi, sipas Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (UKSHA).
Së fundmi, edhe prindërit e një foshnjeje pesë muajshe e cila ka vështirësi edhe në frymëmarrje pasi është prekur nga fruthi kanë përshkruar përvojën e tyre me sëmundjen, ndërsa numri i rasteve rritet.
Raportohet se foshnja e çon numrin total të rasteve të regjistruara me fruth këtë vit në pothuajse 900.
Bëhet e ditur se dy të tretat e të prekurve janë nën moshën 10 vjeç, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Siç theksojnë punonjësit shëndetësorë, shpërthimi aktual filloi në Midlands ndërsa tani është përhapur në çdo rajon të vendit, me Londrën si një nga vendet më të prekura.
“Është e frikshme sepse fëmija im luftonte për të marrë frymë. Ajo kishte skuqje në bark, pas qafës dhe në kokë”, tha nëna e foshnjës.
Ndryshe, simptomat kryesore të fruthit janë temperatura e lartë, sytë e përlotur dhe të skuqur, kollitja dhe teshtitja.
Vaksinimet e fruthit në Mbretërinë e Bashkuar u prezantuan në vitin 1968 dhe deri vonë kishte ndikuar që sëmundja të largohej.
Por, javët e fundit qindra fëmijë janë infektuar dhe zyrtarët shëndetësor paralajmërojnë se sëmundja do të përhapet edhe te mijëra fëmijë të tjerë në mbarë vendin të cilët nuk janë të vaksinuar. /Telegrafi/